Bajqinovci s’thotë asgjë për “rritjen e numrit të ministrive”: Po mundohen të krijojnë opinion anti VV

11:15 | 14 Janar 2020

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka deklaruar sot se dikush po mundohet që të krijojë një opinion anti LV. Megjithatë, i njëjti nuk ka komentuar ofertën e re për shtim të numrit të ministrive që mëngjesin e sotëm ka qarkulluar në media.

Bajqinovci ka shkruar në Facebook se ka fytyra publike në vend që janë angazhuar në krijim të opinionit publik anti LV-së. Ai madje këta persona i ka ndarë në disa kategori.

“Nëse do t’i kategorizonim këta talentë, fare lehtë është t’u gjesh kryegjënë që ata i shquan: 1. Njerëz të gjendur në anën e gabuar të historisë së përpjekjeve të popullit tonë për liri; 2. Njerëz të gjendur në tavolinat ku koordinoheshin projekte e politika stabilizuese e mirëmbajtëse të pushtimit serb në Kosovë; 3. Avokatë publik të kastave e grupeve të korrupsionit – shpërndarës të zellshëm të lajmeve “heroike” për hajdutët e këtij vendi e në anën tjetër, shpërndarës edhe më të zellshëm të lajmeve komprimituese për njerëz atdhetarë, idealistë e të ditur; 4. Profiterë të pamerituar të pushtetit, të cilëve u servoheshin trosha të korrupsionit; 5. Të padijshëm e të përdorshëm nga pushtete të korruptuara në pasluftën e Kosovës; 6. Zyrtarë partish politike, pa dallim, që shquhen për zhvillim e mirëmbajtje të korrupsionit dhe që paranë publike e kanë përdorur për të blerë mbështetjen politike për ata”, thotë ai,

Mirëpo, Bajqinovci thotë se kjo po ndodh pasi që dikush po frikësohet nga Vetëvendosje dhe nga Albin Kurti.

“Janë të friksuar nga Vetëvendosja. Nga Albini. E dinë që LVV Albini nuk janë hakmarrës por gjithashtu e dinë se Albini i do njerëzit e guximshëm, ditur, atëdhetarët e vërtetë dhe idealistët. Albini është aleati i shoqërisë progresive të moralshme, punëtore e të ndershme. E dinë që shoqëria progresive dhe atëdhedashëse do të rigjej hapsirat e humbura për të punuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës me zhvillim ekonomik e social. Sistemi i vlerave perëndimore i instaluar në shtet e në politikbërje mund të mos jetë aleati i të frikësuarve që po kokorisin ditë e natë kundër votës së shpresës më 6 tetor. Qetësohuni, kjo është rrjedhë e natyrshme e gjërave sepse ky është mision i pa ndalshëm thellësisht kombëtar, emancipues e progresiv i Albinit. Është agu i një kohe tjetër”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara