Babë e bir dënohen me 26 vjet burgim për vrasjen e para 10 vjetëve, në Podujevë

14:49 | 16 Shtator 2020

Pas kthimit të rastit në rigjykim për të tretën herë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, sërish i ka shpallur fajtorë të akuzuarit, Senad dhe Qëndrim Begu për vrasje të rëndë, vrasje në tentativë si dhe për armëmbajtje pa leje. Qëndrim Begu është dënuar me 17 vite burgim, kurse Senad Begut i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 9 vitevesh.

I pandehuri Qëndrim Begu, po akuzohet se më 1 mars 2012, në Podujevë, e ka vrarë Sevdaim Sinanin, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur lidhur me një borxh. Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte shtënë edhe në drejtim të Kajtaz Sinanit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se revolen me të cilën kishte shtënë e kishte marrë nga babai i tij, Senad Begu, i cili më pas ia kishte marrë armën djalit të tij dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarve Gëzim dhe Adile Sinani, duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Bashkë me ta akuzohej edhe Xh. A., por për të ka pushuar procedura penale, meqë i njëjti ka ndërruar jetë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, i akuzuari Qëndrim Begu është dënuar me 17 vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me 500 euro gjobë.

Për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, i akuzuari Senad Begu është dënuar me 6 vite burgim, për vrasje të rëndë në tentativë ai është dënuar me 4 vite, kurse për armëmbajtje pa leje është dënuar me 500 euro gjobë. Ndaj të njëjtit, gjykata ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 9 viteve.

Në dënimin me burgim, gjykatësja Çerkini tha se të akuzuarve Begu do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe atë, nga 1 marsi i vitit 2012.

Po ashtu, ata janë obliguar që bashkërisht të paguajnë shpenzimet e procedurës penale si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 200 euro.

Për këtë aktgjykim, gjykatësja Çerkini tha se janë marrë parasysh rrethanat rënduese, si kryerja e veprave penale në oborrin e të dëmtuarve/të ndjerit, kurse si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar në paraburgim, në veçanti për të akuzuarin Senad Begu.

Për të akuzuarit Begu, gjykatësja Çerkini tha se me aktvendim do t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest juridiko-civil.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2016, të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe plagosjet e Kajtaz, Gëzim dhe Adile Sinani.

Qëndrim Begu ishte dënuar me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa Senad Begu ishte dënuar me 7 vjet burgim për tentim vrasje.

Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, dy të akuzuarit ishin dënuar me nga 500 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, si dhe pala e dëmtuar, të pa kënaqur me dënimin, kishin paraqitur ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ankesë kishin paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarve për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit për dënim.

Kurse, Gjykata e Apelit më 11 tetor 2016, kishte marr aktvendim me të cilin kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të Qëndrim dhe Senad Begu dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në vendimin e Apelit, thuhej se kjo gjykatë ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, kjo për arsyeje se dispozitivet e aktgjykimit për të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu, janë të pakuptueshëm dhe në kundërthënie me arsyet e paraqitura në aktgjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 maj 2019 i kishte shpallur sërish fajtorë të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu.

Për veprën penale “vrasje e rëndë”, Qëndrim Begu ishte dënuar me 17 vite burgim, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” 3 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, gjykata i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro.

Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik prej 19 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Senad Begu ishte dënuar me 7 vite burgim për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, 5 vite për veprën penale “vrasje e rëndë” në tentativë, si dhe 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Të njëjtit, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 11 vitesh.

Kundër këtij vendimi kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve dhe prokuroria e Apelit, ku ankesat e mbrojtësve janë aprovuar si të bazuara nga Gjykata e Apelit.

Në vendimin e nxjerrur nga kjo gjykatë, thuhet se gjykata e shkallës së parë duhet t’i evitoj shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, t’i nxjerrë të gjitha provat me dëgjimin e dëshmitarëve si dhe të dëgjohet eksperti i balistikës lidhur me grimcat e barutit dhe përbërjen kimike të saj.

Seanca e radhës është caktuar më 16 mars 2020, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2012, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, të pandehurit Qëndrim dhe Senad Begu akuzohen se më 1 mars 2012, në Podujevë, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani.

Siç thuhet në aktakuzë, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur për shkak të një borxhi, të pandehurit kishin shkuar tek shtëpia e të ndjerit Sinani për t’ia kërkuar borxhin, ku më pas kishte filluar grindja në mes të Gëzim Sinanit, babait të tij Kajtazit, dhe të ndjerit Sevdaim, si dhe në mes të Sinan Begut, Qëndrim Begut dhe Xhafer Ademit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kësaj përleshje, i pandehuri Qëndrim Begu kishte marrë revolen nga i ati i tij, Senad Begu, dhe kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Sevdaim Sinani, ku më pas i njëjti kishte ndërruar jetë. Po ashtu, ai kishte shtënë edhe në drejtim të Kajtaz Sinanit, duke e goditur në gju, nga e cila goditje kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se I pandehuri Senad Begu ia kishte marrë revolen të pandehurit Qëndrim Begu, dhe kishte shtënë në drejtim të Gëzim dhe Adile Sinani, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 147, nënparagrafi 4, dhe tre vepra penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 147, nënparagrafi 4 lidhur me paragrafin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, të pandehurit Begu po akuzohen se nga data e pa vërtetuar e deri më 1 mars 2012, kishin mbajtur në posedim armën e llojit revole, e cilën e kishin përdorur e për të cilën nuk kishin poseduar leje.

Për këtë, secili veç e veç po akuzohet për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328, paragrafi 2, i Kodit Penal të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara