As me Serbi e as me Kosovë, Karaçeva kërkon zgjidhje në negociatat e Brukselit

10:10 | 8 Gusht 2020 | Vlora Selimi

Është fshat në brez kufitarë mes Kosovës e Bujanocit, por zgjedhja e problemeve politike për këtë vijë mbetet enigmë.

Bëhet fjalë për fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës që tash e 20 vite ballafaqohen me të njëjtin problem.

Ndonëse janë pjesë e Kosovës, banorët e këtij fshati kanë drojë që pas një kohë ata do të mbetën në territorin e Serbisë.

Rifillimi i dialogut me Serbinë, ka bërë që këta banorë të ngrisin çështjen për pronat e tyre.

Selver Lenjani, nga ky fshat në një intervistë për arbresh.info, ka treguar se ndonëse taksat i paguajnë në Kamenicë ky fshat menaxhohet nga xhandarmeria serbe.

Për këtë ata kanë edhe dokumente.

Ndërsa shpjegon maltretimet që bëhen nga xhandarmeria serbe në momentin që ata shkojnë në tokat e tyre.

“Të gjitha taksat i paguajmë në Komunën e Kamenicës e jo në Bujanoc. Këtu e kontrollon Serbia e jo Kosova, pasi që këtu vinë xhandarmeria serbe. Edhe në mal me dal, edhe me i rujtë bagëtitë, edhe me shku te tokat tona,  kemi problem se dalin xhandarmeria serbe. Ka raste kur merren banorët e maltretohen. Karaçeva ka mbet as me Serbi, as me Kosovë”.

Lenjani tregon periudhën kur është ngritur ky dyshim që kjo pjesë të mbetet nën territorin e Serbisë, ani pse është në Kosovë.

Ndonëse kanë siguruar harta të vjetra ku thuhet e kundërta, ai thotë së është drojë e tyre për humbjen e më shumë se 170 pronave të tyre.

“170 pronarë i humbin tokat e tyre me dokumente kadastrale dhe më hartat të tjera. E drejta është në anën e banorëve të Karaçevës, por po jemi të pafuqishëm me ndiku në politikën e Kosovës. Ne kemi mbetur me hartën tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga ajo kohë jemi mbet me Bujanoc. Ne i kemi siguru hartat e vjetra të Serbisë. Aty shihet se ne jemi në territorin e Kosovës, e jo të Serbisë. Sipas dokumenteve që i kemi, ne s’jemi pjesë e Serbisë, por e Kosovës. Por, Serbia ka falsifikuar dokumentet dhe e ka prezantuar Karaçevën si pjesë të territorit të tyre, para ndërkombëtarëve”, tha ai.

 

Për shqetësimin tyre, tash e sa vite këta banorë kanë dorëzuar kërkesa në institucionet më të larta në vend, por që Lenjani tregon se asnjë qeveri deri më tash s’ka kthyer kokën nga banorët e kësaj pjese.

“Ne si qytetar të brezit kufitar kemi marr vendim që të ju shkruajmë gjitha institucioneve relevante për hallet që ballafaqohemi. Që nga viti 2001, në jemi tu u ballafaqua me këtë problem. Ne ju kemi kërkuar që problemi jon të shtrohet në Bruksel në dialogun me Serbinë. Por deri tash, asnjë qeveri nuk është marr me problemin tonë. Karaçevën e kanë pa si të mjegulluar pasi që asnjëri deri tash nuk është  dal në Karaçevë me pa problemin tonë”.

 

Ata kanë një lutje për ekipin negociator të cilët po bisedojnë në Bruksel me Serbinë.

“Ne nga Qeveria dhe ekipi negociator, kërkojmë që çështja e Karaçevës të shtrohet në Bruksel dhe të nxjerrët një rezolutë nga deputetët e vendit, dhe të merret një vendim për Karaçevën”./V.Selimi/arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara