Artisti Petrit Halilaj tërhiqet nga Bienalja e Beogradit, organizatorët s’ia njohën kombësinë

23:04 | 28 Korrik 2020

Artisti Petrit Halilaj është tërhequr nga pjesëmarrja në Bienalen e Beogradit nuk pranuan që t’ia paraqisnin kombësinë e tij.

Halilaj është nga Kosova ndërsa Bienalja organizohet nga Qendra Kulturore e Beogradit në Serbi, një vend që s’e njeh Kosovën shtet, njofton Klan Kosova.

Artisti s’u pajtua që vendi i tij të mos jetë në listën e pjesëmarrësve, prandaj edhe u tërhoq.

Halilaj, që jeton në Berlin, ka shkruar një letër të hapur ku detajon përvojën e tij me ekspozitën, e cila zyrtarisht quhet Salloni i 58 Tetorit: Bienali i Beogradit.

Gjatë Luftës së Kosovës 1998–99, vetë Halilaj u shpërngul dhe kaloi më shumë se dy vjet duke jetuar në kampe refugjatësh. Në letrën e tij, Halilaj kujton se si u shkatërruan pasaportat e tij dhe familjes së tij duke iu referuar si gjenocid.

“Kur e mora ftesën në Bienalen e Beogradit isha i konfliktuar nga brenda, por gjithashtu e pashë atë si një mundësi për të krijuar një urë, për të hapur një dialog dhe për të eksploruar shtigje të reja të pajtimit përmes artit”, shkruan ndër të tjerash Halilaj.

“U emocionova për të bashkëpunuar me ata dhe për të udhëtuar për në Beograd për herë të parë si një artist kosovar. Unë do të ekspozoja videon që rezulton nga Shkrepëtima, një shfaqje teatrore e vënë në skenë në Runik (fshati ku jam rritur në Kosovë, i cili është një prej vendbanimeve më të hershme neolitike në rajon) ndër rrënojat e Shtëpisë së Kulturës së Runikut – një simbol të identitetit lokal multietnik që është mbyllur, zbrazur dhe braktisur kur situata politike me Serbinë u përkeqësua në vitet 1990. Kur filluam projektin, Shtëpia e Kulturës ishte në një gjendje braktisjeje dhe përkeqësimi ekstrem; plehrat gjithashtu ishin hedhur aty për vite me radhë. Ne krijuam një bashkësi prej më shumë se 80 njerëzve dhe pastruam hapësirën për t’i dhënë përsëri jetën e saj, zërin dhe kulturën në Runik. Shkrepëtima i është kushtuar ëndrrave të qytetarëve në Runik dhe dukej se tingëllonte me qëllimin e Ëndërrimtarëve”.

“Siç mund ta dinë shumica, Serbia ende nuk e njeh Kosovën si një vend të pavarur. Pasi heshti shprehjen kulturore të Kosovës dhe ndërpreu arsimin, në vitet 1998-1999 Serbia ndërmori një pushtim të armatosur në Kosovë dhe shtypi dhunshëm komunitetin kosovar shqiptar, pjesë e së cilit jam edhe unë”.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara