Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka një lajm të rëndësishëm për vizat

15:35 | 16 Maj 2018

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë njofton se duke filluar menjëherë do të fillojë të pranojë aplikacionet për viza turistike (B1/B2) për kosovarët e moshës mbi 50 vjeçare.

Deri më tani, shërbim i tillë është ofruar në Prishtinë vetëm për aplikuesit e moshës mbi 60 vjeçare.

“Pasi që ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përpiqet të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë për qytetarët e Kosovës të cilët aplikojnë për viza, dhe ka konsideratë për vështirësitë që paraqet udhëtimi për në Shkup, duke pasur parasysh mbylljen e rrugës kryesore, ajo ka vendosur t’i zgjerojë shërbimet për viza të ofruara në Prishtinë”, thuhet në njoftim, përcjell Arbresh.info.

Në të ardhmen, aplikantët duhet plotësuar formularin DS-160 (i cili mund të gjindet në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-ve në: https://xk.usembassy.gov/visas/), të përzgjedhin Prishtinën si vend të aplikimit, dhe të caktojnë terminin për intervistë në ëeb-faqe.

Në ditën e intervistës aplikantët duhet të paguajn tarifën për vizë (me para në dorë, dollarë ose euro) në ambasadë ku dhe do të intervistohen nga një zyrtar konsullor. Vini re se këto procedura dallojnë nga ato në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

Aplikantët të cilët tashmë e kanë paguar tarifën për vizë në mënyrë elektronike apo në Bankën Raiffeisen nuk mund ta përdorin këtë pagesë për të aplikuar në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë – ata ose duhet të aplikojnë në Shkup ose duhet të bëjnë një pagesë të re.

Gjatë intervistës të gjithë aplikantët duhet të dëshmojnë se kualifikohen për të marrë vizën. Zakonisht, vizat e aprovuara mund të mirren në ambasadë, një ditë pune pas intervistës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale