Ambasada e Kosovës në Shqipëri mbulon shpenzimet për kthimin e dy vëllezërve nga Gjilani

23:38 | 27 Nëntor 2019

Ambasada e Kosovës në Shqipëri ka marrë përsipër të gjitha obligimet për kthimin e trupave të pajetë të të dy vëllezërve Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, të cilët vdiqën si pasojë e tërmetit në Shqipëri.

Përderisa edhe Ministria e Financave ka ndarë 20 mijë euro për familjet e këtyre dy vëllezërve, raporton KTV.

“Ministri i Financave, Bedri Hamza, me qëllim të ofrimit të ndihmës materiale për familjet e viktimave të cilat pësuan nga tërmeti në Durrës, duke u bazuar në kompetencat e tij ligjore si ministër i Financave, ka marrë vendim që të ndihmojë në total me shumën 20,000 euro, duke ndarë nga 10,000 euro për familje të Shemsedin dhe Isa Abazit”, thuhet në komunikatë të Ministrisë.

Shemsedin e Isa Abazi, për 15 vjet kishin punuar në Shqipëri, duke bërë tregti me pjesë të veturave.

Familjarët e tyre tregojnë se trupat e dy vëllezërve pritet të kthehen në Kosovë gjatë pasdites të së mërkurës.

Varrimi i tyre do të bëhet të enjten, në orën 12:30, në varrezat e fshatit Livoç i Epërm.

Lajmet më të lexuara