Ali Ahmeti për Kadri Veselin: Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhnjesh

11:25 | 8 Nëntor 2019

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar pas ftesës që Gjykatës Speciale për Kadri Veselin.

Ahmeti i është drejtuar Veselit me fjalët vëlla, bashkëmendimtar e bashkëluftëtar dhe me fjalë të ndryshme mirënjohjeje e respekt të madh.

Postim i tij i plotë:

I dashur vëlla Kadri, bashkëveprimtar, bashkëluftëtar, bashkëmendimtar, shoqërues dhe bashkëndërtues i rrugës sonë të përbashkët për liri, pavarësi, demokraci.

Na paska qenë e shkruar, jo nga Perendia, por nga hasmi, ai i dituri dhe ai i strukuri, që çdo ditë të lume ta dëshmojmë pastërtinë dhe dinjitetin e luftës tonë çlirimtare nga zgjedha e kasapit të Ballkanit.

E nga Perendia na qenka përcaktuar detyrimi që t’i bëjmë ballë shpifjeve, denigrimeve, nënçmimit, propagandës dhe lajmeve të rreme nga ai i dituri edhe ai i strukuri në mënyrë që ta mbrojmë dinjitetin e luftës, e çdo pike gjak të derdhur, e çdo plage, të secilit dëshmor, martir dhe invalid, të çdo istikame, të çdonjërës shkrepje, të secilit lot të derdhur nga sytë e nënave tona.

E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njejtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme.

Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhnjesh ndaj saj ashtu siç bashkë ngadhnjyem në luftën tonë të drejtë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara