Aleksander Vuçiqit i refuzohet vizita në Kosovë

21:28 | 21 Nëntor 2020

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, këtë të shtunë, e ka refuzuar kërkesën e presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe tre zyrtarëve tjerë serbë (Ministrin e Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ish-udhëheqësin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe Marko Gjuriq dhe drejtorin aktual të kësaj zyre Petar Petkoviq) për ta vizituar Kosovën.

“Kërkesa e Vuçiq, Vulin, Gjuriq dhe Petkoviq për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim! Secila kërkesë e Serbisë në këto rrethana gjithmonë do ta ketë përgjigjen e njëjtë!”, thuhet, ndër të tjera, në një komunikatë të lëshuar nga MPJD.

E një serbi tjetër, pikërisht të shtunën, iu hoq e drejta për të qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nenad Rikallo u shkarkua nga kjo detyrë me vendim të ushtrueses së detyrës të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, meqë i njëjti është caktuar zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sipas Osmanit, Rikallo duke u angazhuar në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit, si dhe ka vënë në rrezik kushtetutshmërinë e funksionimit të këtij institucioni./klankosova

Lajmet më të lexuara