Albin Kurti në Tiranë, mesazhet që dha për Serbinë dhe LVV në Shqipëri

00:05 | 21 Tetor 2019

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është sot në Tiranë për të festuar me qendrën e Lëvizjes në Shqipëri, fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në një prononcim për mediat Kurti u pyet për qëndrimin e tij ndaj takimit të fundit tripalësh Rama-Vuçiç-Zaev në kuadrin e “mini-shengenit” Ballkanik ku Kosova nuk ishte pjesë.

Kurti tha se kjo nuk është një vizitë zyrtare dhe se ai ka ardhur për festë por shtoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më shumë. Më tej ai theksoi se vendimi për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një padrejtësi pasi të dyja vendet e meritonin sipas tij.

“Padrejtësi që Shqipëria dhe Maqedonia nuk filluan negociatat. Ju takon dhe e kanë merituar” tha Kurti.

Megjithatë ai nënvizoi se duhet kujdes në marrëdhënie me Serbinë pasi ajo po përpiqet të duket normale në një kohë që nuk është e tillë.

“Duhet kujdes në raportet me Serbinë, pasi dihet se çfarë u ka bërë shqiptarëve dhe para tre viteve bëri një puç në Maqedoni por dështoi. Prandaj është në interes të Serbisë që të hiqet sa më normale ndërkohë që nuk është” deklaroi kreu i LVV.

I pyetur nëse partia e tij do të garojë në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje e Tiranës ka autonomi të plotë nga ai dhe simotra e saj në Kosovë porsa i përket këtyre vendimeve.

“Unë jam këtu me ftesë të qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dhe këta e kanë autonominë e qëndrimeve dhe veprimeve pra nuk është se unë ose LVV në Kosovë e diktojmë një gjë të tillë” u shpreh Kurti.

Sa i përket takimit me kryeministrin Rama, Kurti tha se nuk do ta zhvillonte sot pasi do të kthehej në Kosovë në mbrëmje por që është një gjë që do të ndodhë brenda pak ditësh shtoi ai.

Sigurisht që do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë, por jo sonte. Është çështje ditësh dhe jo javësh kjo punë” tha Albin Kurti. /Opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara