Aktakuzë për keqpërdorim të votimit

09:59 | 7 Nëntor 2019

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për krime të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, A.G, dhe B.G, për shkak të veprës penale  “Keqpërdorimi i të drejtës se votimit”, nga neni 213, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sic njofton zyra për media e kësaj prokurorie, i pandehuri, A.G, akuzohet se me datën 6 tetor të këtij viti, në zgjedhjet e përgjithshme të organizuara me datën e lartcekur, në fshatin Përqevë të Klinës, rreth orës 13:00, në shkollën e mesme të ulët “Dëshmorët”, në vendvotimin 0818C/01R, me letërnjoftim të vëllait të tij, voton në emër të personit tjetër  A.G,  e i cili nuk kishte votuar ditën e zgjedhjeve për shkak se jeton në Itali.

Kurse, i pandehuri B.G, akuzohet se në vendvotimin e lartcekur, në cilësinë e komisionerit (Anëtarit të Këshillit të vendvotimit) ia mundëson të pandehurit A.G, të votojë në emër të personit tjetër.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën  penale e cila ju vihet në barrë”, bën të ditur prokuroria.

Njëkohësisht, prokurori i çështjes ka propozuar që ndaj të pandehurit B.G, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”./arbresh.info

Lajmet më të lexuara