Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” nis me Erenikun

12:23 | 24 Maj 2018

Let’s Do It Kosova do të organizojë aksion për pastrimin e lumit Erenik, përkatësisht tek vendi ku bëhen bashkë lumi Krena dhe Ereniku.

“Aksioni do të organizohet të shtunën, më 26 maj, duke filluar nga ora 11:00, ku do të marrin pjesë vullnetarë të shumtë.

Për aksionin e së shtunës, Kompania turistike “Dita” do të bëjë transportin e vullnetarëve, Kompania “Meridian” do të ofrojë ushqim dhe ujë për vullnetarët, ndërsa thasët për mbeturina do të dhurohen nga Kompania “Scampa”. Për organizimin e aksionit, ndihmë kanë ofruar edhe Komuna e Gjakovës, Organizata ‘IFK’ dhe organizata të tjera joqeveritare në këtë komunë”, thuhet në njoftimin për media.

Let’s Do It Kosova u bën thirrje të gjithë qytetarëve të asaj ane që të bashkohen në aksionin e së shtunës, me qëllim të pastrimit të lumenjve, gjendja e të cilëve po përkeqësohet dita ditës.

Përmes kësaj shkrese, Let’s Do It Kosova u bën thirrje edhe institucioneve që të mos lejojnë degradimin e hapësirave publike në këtë mënyrë dhe të marrin masa konkrete përmirësimin e gjendjes së tyre, sidomos te lumenjve.

Revista e njohur botërore National Geographic ditë më parë ka publikuar një fotografi të lumit Erenik, ku shfaqej bërlloku i cili e kishte mbuluar lumin në perëndim të Kosovës.

Nuk duhet të lejojmë që pamje si kjo të bëhen lajm ndërkombëtar për Kosovën. Është e turpshme që lumenj tanë të cilësohen si lumenj të plastikës, të mbushur me mbeturina, që janë hedhur nga qytetarët e papërgjegjshëm.

Ky aksion për pastrimin e lumit Erenik do t’i paraprijë aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili organizohet më 5 Qershor, në Ditën Botërore të Mjedisit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara