Agjenda e Pavarësisë, Thaçi nuk do të jetë në seancë solemne

09:06 | 15 Shkurt 2020 | Vlora Selimi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk do të jetë i pranishëm në pjesën e parë të ceremonisë për festën e Pavarësisë së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për arbresh.info zëvendëskryeministri, Haki Abazi.

Abazi madje ka treguar se këtë vit nuk kanë ndarë buxhet për përvjetorin e Pavarësisë.

“Shpenzojmë fonde publike, nuk është vit jubilar. Do të bëjmë disa aktivitete, Qeveria nuk ka ndarë buxhet të veçantë. Institucionet përkatëse janë duke i përdorur mjetet që i kanë në dispozicion. Pra nuk do të shpenzojmë shumë”, është shprehur Abazi.

Protokolli shtetëror është duke bërë thirrje për personalitete dhe përfaqësimin diplomatik.

Duke qenë kohë e shkurtër, zëvendëskryeministri Abazi thotë se nuk presin delegacione të mëdha.

“Ne do t’i kryejmë obligimet ashtu siç parasheh protokolli. Sipas agjendës Kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit do të jenë që nga fillimi i ditës, e Presidenti do t’u bashkohet më vonë aktiviteteve të ditës së manifestimit ashtu na është thënë nga kabineti i tij, që nuk do të jetë prezent në pjesën e parë të aktiviteteve”.

Ceremonia festive do të fillojë në ora 08:00 me ngritjen e flamurit të Kosovës.

Ndërsa për këtë Abazi ka treguar se kanë dërguar ftesa edhe për personalitete të ndryshme.

“Kemi filluar me përgatitje, Qeveria ka marr vendim të krijoj grupin punues dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm, kemi mbajtur takime se bashku më ministra që janë të përfshirë jemi në finalizim të agjendës dhe kemi arritur në një pikë ku kemi një manifestim të drejtë. Ne jemi përqendruar në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Në ora 08:00, fillojmë më ngritjen e flamurit pastaj vazhdojmë më vizita të familja Jashari,  të varri i ish-presidentit Rugova e i veprimtarit Adem Demaçit. Pastaj kemi seancën solemne ku do të flas zonja Osmani. Pastaj një aktivitet në Ministrin e Mbrojtjes dhe kështu më radhë vazhdojmë ditën me aktivitete”, bënë të ditur Abazi.

Në Zyrën e Presidentit e kanë konfirmuar për arbresh.info se presidenti, Hashim Thaçi, nuk do të jetë në Kosovë deri pasditen e datës 17 shkurt. /V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara