Afër 50 për qind e drejtimeve në Universitetin e Pejës do mbyllen

08:34 | 4 Shkurt 2019

Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” do të pranojë shumë më pak studentë në vitin e ardhshëm akademik nëse hyn në fuqi vendimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Dhjetë drejtime studimore të këtij universiteti nuk janë akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për shkak të mospërmbushjes së kriterit.

Secili program studimi i nivelit Bachelor duhet të ketë tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, ndërsa në programet master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence për programet Master, si dhe tre profesorë të asocuar për programet e doktoratës. Programet që nuk janë akredituar nga Agjencia e Akreditimit nuk i kanë plotësuar këto kushte.

Universitetin e Pejës vitin e ardhshëm akademik 2019/2020 do të nis pa programet: ‘Agro ekonomi dhe agro mjedis’, ‘Teknologji ushqimore dhe prodhim i bimëve’, ‘Menaxhment biznesi’ në nivelin Bachelor, Master dhe doktoratë (gjuhën boshnjake), ‘Administrim biznesi’ në gjuhën boshnjake në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Kontabilitet dhe financa’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Menaxhim i burimeve njerëzore’ në nivelin Master.

Disa prej këtyre programe nuk janë akredituar, kurse për disa të tjera u është tërhequr akreditimi të cilin e kishin siguruar më herët Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Këto vendime nuk janë nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit. Tash Universiteti i Pejës do të ketë përgjysmë më pak programe të akredituara.

Universitetit të Pejës, Këshilli Shtetëror i Cilësisë i ka aprovuar programet: ‘Menaxhim biznesi’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Menaxhim në turizëm, hotelieri dhe mjedis’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Menaxhim në mjedis dhe turizëm’ në nivelin Master i shkencës, ‘Juridik i përgjithshëm’, ‘E drejta penale’, ‘E drejta ndërkombëtare dhe evropiane’, ‘Teknologjia e prodhimit bimor’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe ‘Teknologji ushqimore’ në nivelin Bachelor i shkencës.

KSHC në këtë universitet akreditoi edhe programin ‘Menaxhment në turizëm (Gjuhë boshnjake)’ në nivelin Bachelor. Ndërsa, programet që u shtynë janë: ‘Edukim i përgjithshëm në muzikë’, ‘Edukim në muzikë’, ‘Edukimi muzikor’ dhe ‘Edukimi artistik në performim’.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 1 program studimorë valid dhe i tërhoqi 5 të tjera UHZ-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UHZ-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 9 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 5 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara