Abrashi komenton “bashkëpunimin” me Vetëvendosjen

01:02 | 18 Maj 2017

Arban Abrashi nga LDK-ja ka thënë se kjo parti është e bindur në fitore dhe se është duke bërë gati listën zgjedhore të cilën do ta publikojë shumë shpejt.

Në një bisedë për Interaktiv të KTV-së, Abrashi ka komentuar edhe raportimet e fundit për bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen, duke thënë se LDK është e hapur që në listën e saj të ketë njerëz që sjellin vlerë dhe garancë për fitore.

“Nuk është se kemi diskutuar saktësisht për këtë bashkëpunim. Nesër kemi mbledhjen e këshillit, por ajo që mund të themi është se ne si LDK dhe këtë koalicion parazgjedhor që e kemi ndërtuar me partnerët synojmë të kemi listë të hapur që synon fitoren. Edhe nesër në funksion të fitores së madhe do të kemi aderime të figurave publike. Jemi duke ndërtuar listë që garanton fitoren”, ka thënë ai duke mos përmendur emra.

Abrashi thotë se personalisht nuk ka mbajtur takime me Vetëvendosjen si dhe ka komentuar “kushtëzimet” e Vetëvendosjes që nëse duan të përfshihen në një listë të përbashkët LDK dhe AKR duhet të pajtohen me programin e VV-së.

“Unë apo ndonjëri nga anëtarët e kryesisë nuk jemi takuar. LDK është e hapur për listë për të gjithë ata që mund të garantojnë dhe përkrahin programin tonë dhe që sjellin bagazh politik që e vlerësojmë si vlerë e shtuar. Parimisht, deklarata përmes medieve apo publikut në formë të kushtëzimeve nuk sjellin diçka të mirë. Duhet që përmes grupeve punuese të diskutohet qoftë për program apo edhe për përafrim qëndrimesh. Ekziston një bashkëpunim që të formohet një listë e tillë që sjell fitore. Ne mendojmë se edhe tash do të fitojmë, por çfarë do vlere e shtuar siguron më shumë vota edhe garancë më të madhe për fitore”, ka thënë më tej ai.

Ai po ashtu ka thënë se pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të enjten do të tregohet se a do të kandidojë lideri i kësaj partie Isa Mustafa për deputet të Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale