Abdixhiku: Idetë e Rugovës më së paku kanë ndërlidhje me Thaçin

20:04 | 20 Shkurt 2019

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratave të presidentit, Hashim Thaçi i cili tha se është frymëzuar nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova në lidhje me idenë e korrigjimit të kufijve.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se, projekti i Thaçit për ndarjen e Kosovës po shkon drejt dështimit.

Deputeti i LDK-së thotë se idetë e ish-presidentit Rugova, më së paku kanë të bëjnë me Hashim Thaçin.

“E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës. Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij – dhe Aleksandrit në Serbi – për ndarjen e Kosovës po humbet. Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor.

Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar – pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet.

Meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike. Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë:

– “Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cënojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq”.

E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës.

Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara