Nis sot projekti për cilësinë dhe llogaridhënien në arsimin e lartë

06:59 | 11 Korrik 2019

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) ka bërë të ditur se sot do të mbahet ceremonia e fillimit të projektit “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë (QAINT)”.

Ky projekt financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me kontribut nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Organizata për Ngritje të Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe Qendra për Inovacion Shoqëror (ZSI).

Projekti “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë (QAINT)” është një projekt trevjeçar që ka për qëllim ta ngrit sistemin e arsimit të lartë në Kosovë në nivel të standardeve ndërkombëtare të cilësisë, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies dhe është në përputhshmëri me mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë austriake, veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, për ta ndihmuar integrimin dhe përshtatjen e sistemeve të arsimit të lartë në Kosovë me standardet e rajonit të Evropës për cilësi dhe rezultate në punë.

Mbështetja e tillë ofrohet përmes zhvillimit të kapaciteteve të universiteteve publike për zbatimin e parimeve të Zonës Evropiane për Arsim të Lartë (EHEA) dhe përmes të përmirësimit të cilësisë dhe ngritjes së rëndësisë së programeve arsimore dhe të trajnimit për tregun e punës dhe me gjerë.

Ndikimi afatgjatë i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë dhe i mundësisë konkurruese të sektorit të arsimit të lartë për të kontribuar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.

Në ceremoninë e fillimit të projektit do të shfaqet një video prezantim ishkurtër rreth projektit.

Të pranishëm gjithashtu do të jenë rektorët e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, përfaqësuesit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, përfaqësuesit e zyres së ADA-s në Kosovë, zyrtarë qeveritarë, ekspertë dhe personalitete të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara