​Shërbyesit civilë kërkojnë rikthimin e Ligjit të Pagave në Kuvend

18:01 | 6 Shkurt 2019

Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës dhe Sindikata e Administratës Publike të Kosovës i kanë dërguar sot letër kreut të vendit Hashim Thaçi me kërkesën për rikthim të Ligjit mbi Pagat në Kuvend.

Ligji për paga sipas këtyre dy sindikatave është në kundërshtim me nenin 3 të këtij ligji siç është parimi i pagës së barabartë që nënkupton që secili përfitues i pagës sipas këtij ligji merr pagë të barabartë për punën.

“Ne kërkojmë nga ju që ta analizoni profesionalisht ligjin, t’i konstatoni shkeljet thelbësore dhe diskriminuese që vërtet i ka ky ligj dhe t’ia ktheni mbrapa Kuvendit të Kosovës për përmirësim dhe avancim veçmas të kategorisë së shërbyesve civil duke iu përcaktuar sikur edhe kategorive tjera koeficient të merituar dhe të dinjitetshëm – pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, thuhet në letër.

Letra e plotë:

I nderuari z. President

Siç jeni mirëinformuar, pakë ditë më parë, Kuvendi i  Republikës së Kosovës, me shumicë votash e ka miratuar Ligjin e ri për Pagat. Ndonëse  edhe më parë dhe pothuajse në vazhdimësi të neglizhuar deri në pafundësi, NE Nëpunësit e Shërbimit Civil të Kosovës, Sindikatat e Shërbimit Civil të Kosovës, me dinjitet, përgjegjësi profesionale dhe përkushtim maksimal i kemi përmbushur detyrat dhe obligimet tona në relacion me Shtetin, qytetarët e Republikës dhe të gjitha subjektet e tjera juridike dhe fizike, të cilat i  kanë kërkuar shërbimet dhe përkrahjen tonë profesionale, njerëzore dhe zyrtare.

Duke qenë se vazhdimisht dhe maksimalisht të përkushtuar në shërbim dhe funksion të avancimit dhe konsolidimit administrativ, demokratik dhe civil të Shtetit tonë dhe Republikës, konsiderojmë me të drejtë se angazhimi, dedikacioni, mendimi dhe kontributi ynë në kondita dhe rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe komplekse, do të duhej kujtojmë me ne meritueshëm, të çmohej, valorizohej të paktën aktualisht pra me rastin e përgatitjes dhe miratimit të Ligjit të sipërapostrofuar.

Mirëpo përkundër faktit notor dhe të pakontestueshëm se NE nëpunësit e Shërbimit Civil të Kosovës, për dallim nga kategoritë tjera të respektuara që financohen nga buxheti i Kosovës, treguam një kujdes të veçantë ndaj Shtetit dhe Institucioneve tona duke qenë më pak të zëshëm dhe të dukshëm madje edhe mjaft modest dhe racional në kërkesat TONA,

përndryshe legale dhe legjitime dhe tepër të arsyeshme.

Ne jo vetëm që nuk e morëm vëmendjen dhe as kujdesin e merituar, por as vendin dhe pozitën përkatësisht koeficientin që do të duhej ta kishim me këtë Ligj respektivisht saj përket rangimit të koeficientit të mbarështruar në të ashtuquajturën shtojcën 1 të Ligjit në fjalë.

PRANDEJ I NDERUARI Z.PRESIDENT; Me Ligjin në fjalë, jo vetëm që jemi DËMTUAR NË MËNYRË FLAGRANTE DHE SHUMË TË RËNDË, por kësaj radhe më tepër se asnjëherë JEMI DISKRIMINUAR SKAJSHMËRISHT, JEMI NËNÇMUAR, INJORUAR DHE FYER EDHE SI ZYRTARË SHTETËRORË TË KËTIJ VENDI QË SHPESH DINI TA PËRDORNI  SI MOTOR I SHTETIT POR EDHE SI QENIE NJERËZORE.

Për ta argumentuar diskriminimin në koeficient po e ilustrojmë me disa shembuj eklatant të diskriminimit dhe padrejtësive të pa numërta që na janë bërë nëpunësve të shërbimit civil të Kosovës me veprimtaritë institucionale dhe resoriale të kategorive tjera buxhetore që janë pjesë organike e këtij Ligji.

Përcaktimi i koeficienteve për pozita profesionale në shërbimin civil të Kosovës duke filluar nga ekzekutivi profesional 6 ka koeficient 1.65, Ekzekutiv 5 ka koeficient 1.85 dhe Ekzekutiv 4 ka koeficient 2.15 që krahasuar me koeficientet e kategorive tjera që janë pjesë e këtij Ligji, janë më të ulëtat. Pastaj përcaktimi i koeficienteve për nëpunësit administrativ dhe mbështetës 2, ka koeficientin 1.6 , nëpunës administrativ dhe mbështetës 3  1.45, ndërsa nëpunës administrativ mbështetës 4, ka koeficientin 1.35 që është koeficienti më i ulët i të gjitha kategorive buxhetore që janë pjesë organike e këtij Ligji.

Këtu fatkeqësisht stafi politik është mbivlerësuar p.sh. asistent i nënkryetarit të grupit parlamentar me këtë Ligj e ka koeficientin  3.2 në raport me koeficientin e Drejtorit të Qendrës për Punë Sociale që e ka koeficientin 2.7. Drejtori i shkollës së mesme e ka koeficientin 3.0 ndërsa punëtori profesional social i shërbimeve sociale e ka 2.15.   Drejtori i shëndetësisë niveli parësor e ka koeficientin 5.1 ndërsa Drejtori i Qendrës për Punë Sociele e ka 2.7. Psikologu klinik e ka koeficientin 3.2 ndërsa psikologu i QPS e ka 2.15.  Këta janë vetëm disa shembuj nga shumë e shumë të tjerë që qartë dhe pastër e argumentojnë favorizimin e disa grupacioneve pavarësisht pozicioneve veçmas politike dhe diskriminimin drastik të pozicioneve profesionale të Shërbyesve Civil të Kosovës të cilët janë të diskriminuar me këtë Ligj jo vetëm në raport me stafin politik por edhe me të gjitha resorët dhe grupacionet e tjera të financuara nga buxheti i Kosovës.

Ky ligj ZOTI PRESIDENT fillimisht i cenon rëndë dispozitat e nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për sa i përket BARAZISË SË QYTETARËVE PARA LIGJIT dhe diskriminimin dhe nënçmimin e përcaktuar në nenin 21 paragrafi 1 dhe nenin 58 paragrafi 3 dhe 7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ky Ligj është edhe në kundërshtim edhe me vetë parimet e tij themelore siç janë përcaktuar në nenin 3 të këtij Ligji siç është parimi I PAGËS SË BARABARTË  që në të vërtetë nënkupton që secili përfitues i pagës sipas këtij Ligji merr pagë të barabartë për punën, funksionin, pozitën apo gradën e njëjtë apo të krahasueshme, si dhe parimi i mos diskriminimit që nënkupton faktin se asnjë përfitues i pagës NUK DISKRIMINOHET NË PAGË ashtu siç përcaktohet në Ligjin mbi mbrojtjen nga mos diskriminimi dhe në nenin 3 të Ligjit mbi Pagat.

Ndër shumë e shumë  dispozita diskriminuese, por edhe të papranueshme nga cili do këndvështrim, analizë, sintezë racionale, etike dhe profesionale pa asnjë mëdyshje është edhe dispozita e paragrafit 4 e nenit 12 të Ligjit në fjalë e cila pozita menaxheriale si dhe nëpunësve administrativ teknik, nuk ua njeh fare të drejtën në të ashtuquajturat “shtesat e posaçme”.

Kjo padrejtësi atakon dhe dëmton një vistër të gjerë nëpunësish veçmas në shërbimin civil të Kosovës. I tillë çfarë është me strukturën dhe organikën e tij-maksimalisht diskriminues për 1 apo më shumë kategori dhe grupacione pozitash dhe po ashtu maksimalisht favorizues për 1 apo më shumë kategori tjera.  Ky Ligj nuk ngërthen në vete një zgjidhje të problemit as nivelim të pagave, as trajtim të barabartë të kategorive të njëjta për pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme, por fatkeqësisht këto kontrabandime të këtij Ligji për  qëllime elektorale, thellon edhe më tepër problemin, shton më shumë pakënaqësinë por njëkohësisht edhe revoltën e madhe të kategorive që janë anashkaluar, shantazhuar nga deputetët e Kuvendit si të ishte një treg i shitblerjes ku në këtë rast më së keqi pësuan shërbyesit civil duke u trajtuar vërtetë si shërbëtor të shtetit e jo motor i shtetit.

I nderuari PRESIDENT.

Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm dhe të bindur thellë për zgjedhjet skajshmërisht të padrejta, diskriminuese dhe dëmsjellëse të këtij ligji, zgjidhje, këtë të cilat do të kenë reflektim dhe ndikim jashtëzakonisht negativ qoftë në punën e shërbimit civil dhe kategorive tjera të indinjuara dhe të keqtrajtuara dhe thellësisht të shqetësuar dhe të brengosur për disponimin e luhatur dhe indinjatën prezente dhe gatishmërinë e kësaj kategorie që ta riaktivizojë grevën e mbajtur dy ditore, NE KËRKOJMË NGA JU QË TA ANALIZONI PROFESIONALISHT LIGJIN, TI KONSTATONI SHKELJET THELBËSORE DHE DISKRIMINUESE QË VËRTET I KA KY LIGJ DHE T’IA KTHENI MBRAPA KUVENDIT TË KOSOVËS PËR PËRMIRËSIM DHE AVANSIM VEÇMASTË KATEGORISË SË SHËRBYESVE CIVIL DUKE I’U PËRCAKTUAR SIKUR EDHE KATEGORIVE TJERA KOEFICIENT TË MERITUAR DHE TË DINJITETSHËM- PAGË E NJËJTË PËR PUNË TË NJËJTË APO TË NGJAJSHME E JO KËSO DALLIMESH DRASTIKE.

ME RESPEKT DHE KONSIDERATË.

 

Shpërndaje në rrjete sociale