​Ndërkombëtarët nuk do të lejojnë zgjatjen e krizës sikurse vitin e kaluar

11:36 | 30 Shtator 2015

Përsëritja e një skenari të ngjashëm sikurse ai i pari një viti, kur vendi hyrë në një krizë gjashtë mujore politike vështirë se mund të ndodh, sado që opozita të jetë e bashkuar dhe e bindur në kërkesat e saja.

Kjo pasi që bashkësia ndërkombëtare nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë dhe shtyjnë projektet që ata kanë nisur siç është formimi i Gjykatës Speciale, dhe jetësimi i marrëveshjeve të Brukselit.

Këto janë vlerësimet e analistëve politikë në vend, të cilët nuk presin që kriza politike në vend sado që do të vazhdojë, nuk do të ketë një fund sikurse të para një viti.

Analisti Artan Muhaxhiri në një prononcim vlerëson se vendi është aktualisht në një krizë politike, krizë kjo e cila sipas tij do të vazhdojë. Këtë Muhaxhiri e arsyeton me faktin se pozicionet e opozitës janë aq të kundërta sa që kriza pritet të vazhdojë edhe në javët që do të vijnë.

“Aktualisht ne jemi në një krizë politike parlamentare dhe është evidente që skena politike është bllokuar. Jeta politike është bllokuar pasi kemi dy kërkesa që janë krejtësisht të pa përputhshme të pozitës dhe opozitës, prandaj edhe kjo gjendje, ky hendek do të vazhdojë edhe për një kohë sepse nuk ka asnjë indikacion se qoftë pozita, qoftë opozita e ka një tendencë për ta zvogëluar këtë dallim dhe për të gjetur ndonjë dalje nga kriza”, tha Muhaxhiri.

Se a do të ketë krizë të njëjtë sikurse ajo e vitit të kaluar kjo edhe mund të pritet, mirëpo sipas Muhaxhirit një bllokadë si ajo e vitit të kaluar e që zgjati gjashtë muaj vështirë se do të lejohet nga bashkësia ndërkombëtare e cila edhe ka për të realizuar projektet e saj në Kosovë.

“Krahasimi me krizën e vitit të kaluar mund të ndodh një gjë e tillë, mirëpo nuk besoj që do të zgjas aq shumë. Periudha që është para nesh është jashtëzakonisht e rëndësishme për projektet ndërkombëtare si Gjykata Speciale dhe fillimi i aplikimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe prandaj unë nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të lejojë spektrin politik kosovar që ashtu siç di ai të merret me spektakle politike dhe në fund të vendoset ashtu siç thotë Brukseli dhe Ëashingtoni, prandaj besoj që kjo është një kohë jashtëzakonisht e pa përshtatshme për opozitën që ta bëj një gjë të tillë, sepse po them që presioni i ndërkombëtarëve do të jetë shumë i madh”, tha Muhaxhiri.

Sipas tij, edhe kjo bllokadë pritet të jetë e dëmshme pasi që stopon këto projekte, dhe se mungesa e dialogut do të rezultojë edhe “ me një përçarje edhe më të madhe të spektrit politik dhe me një nevojë që dikush nga bashkësia ndërkombëtare të bëj presion jo demokratik, mirëpo gjithsesi të domosdoshëm ndaj akterëve politik në Kosovë për ta normalizuar jetën politike”.

E për Albert Krasniqin nga KDI ende nuk mund të thuhet se është bllokuar puna e Kuvendit të Kosovës, pasi që subjektet opozitare me deputetët e tyre kanë marrë pjesë në disa prej komisioneve ku janë të përfaqësuar.

“Në seancat e tjera plenare është paralajmëruar se nuk do të ketë pjesëmarrje por këto janë vetëm paralajmërime dhe nuk e di nëse do të ketë bllokim të punës së Kuvendit. Kështu që është pak herët të vijim në këtë konstatim se ka bllokadë dhe se është diçka e ngjashme si bllokada gjashtë mujore që e kemi pas në fillim të konstituimit të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Sipas tij në rast se ky bllokim do të vazhdoj dhe tendenca e opozitës për të paralizuar jetën politike n? ? vend do të jetë edhe më tej e theksuar, atëherë ka masa të cilat mund të merren e që janë të parapara me Rregulloren e Punës së Kuvendit, siç është largimi i deputetëve në rast të mungesës gjashtë mujore në seanca dhe punimet e Kuvendit.

“Nëse opozita vazhdon të bojkotojë punën e Kuvendit, atëherë ka masa të cilat janë të parapara me rregulloren e punës së Kuvendit dhe besoj që Kryesia do t’i vë në funksion, e që një prej tyre është nëse deputetët nuk nënshkruajnë dhe nuk marrin pjesë për gjashtë muaj në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, atëherë atyre iu skadon mandati dhe zëvendësohen me deputetë tjerë brenda listës së njëjtë të subjekteve politike, të cilët gjithashtu pastaj pritet që ta bojkotojnë njëjtë sikurs e kolegët e tyre dhe sikurse një masë e menjëhershme që mund të merret nëse bllokohet fizikisht puna e Kuvendit të Kosovës atëherë duhet që Policia e Kuvendit të intervenojë dhe ta lirojë hapësirën e mbajtësve së seancave të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Për Krasniqin pasojat e një ngërçi politik në vend do të ishin të pariparueshme, meqë vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike.

Mirëpo ish-lideri i Vetëvendosjes dhe njëri nga fytyrat qendrore të këtij subjekti Albin Kurti ka thënë se opozita është e vendosur se pa tërheqjen e nënshkrimit nga Marrëveshja për Asociacionin nuk do të ketë Kuvend, duke lënë të nënkuptojë se opozita do të vazhdojë të bojkotojë pjesëmarrjen në seancat e Kuvendit.
Sipas Kurtit as transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura nuk mund të ndodh derisa të ketë një Bashkësi të Komunave Serbe.

“Pa u tërhequr nënshkrimi nga ‘Zajednica’ e Mustafës me Serbinë e Vuçiqit, nuk mund të ketë as Kuvend e as Kuvend të Republikës. Neve na gjymtohet shtetësia me atë ‘Zajednicë’ dhe parakusht që Kuvendi i Republikës të jetë përnjëmend qysh e ka emrin është që paraprakisht që të tërhiqet nënshkrimi i tillë dhe të krijohen kushtet që në një shteg të ri, në një orientim të ri të përparojmë edhe sa i përket demokratizimit të drejtësisë edhe sa i përket zhvillimit të mbrojtjes së sigurisë përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës. Me ‘Zajednicë’ në Kosovë Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund të jenë të Kosovës edhe nëse ato janë Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit nenin 25 thuhet: ‘humbja e statusit të deputetit të Kuvendit’, përcakton se deputetit i merret mandati në rast se “në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës. E në rast të eskalimit të sërishëm të situatës në Kuvend sikurse në seancën e javës së kaluar, në nenin 41 të kësaj rregulloreje” Mbarëvajtja e punimeve të Kuvendit” përcaktohet se “ Kryesia e Kuvendit nxjerr rregulla për sjelljen e publikut, të përfaqësuesve të shtypit dhe të personave të tjerë, që i ndjekin mbledhjet në Kuvend. Kryetari i largon nga mbledhja të gjithë personat që nuk i respektojnë rregullat e Kuvendit. Zyrtarët e policisë veprojnë sipas urdhrave të Kryetarit të Kuvendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara