​Haradinaj: Ndryshimi i kufijve hap çështjen e shqiptarëve në Ballkan

14:00 | 15 Prill 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se hapja eventuale e bisedimeve për shkëmbimin e territoreve do të hapë njëherësh çështjen e shqiptarëve në Ballkan.

Ai gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”, tha se nuk duhet pranuar të diskutohet çështja e kufijve në bisedimet në Bruksel.

“Nuk do të lejojmë që të na mohohet e drejta në shtet. Nuk ka si të bëhet Kosova në tavolina, janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropianë se mund të diskutohen territori i Kosovës. Hapja e kufijve do të hapë çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Nëse janë të gatshëm ta hapin këtë çështje, e hapim. Nuk duhet pranuar të flitet për kufijtë e Kosovës në asnjë tavoline”, u shpreh Haradinaj.

Kryesuesja e Kuvendit komunal në Gjilan Shpresa, tha se prilli edhe sot na i sjell të freskëta kujtimet për dëshmorët. “Ne sot jemi të obliguar të luftojmë për ta bërë paqen, ta bëjmë shtetin siç e deshën dëshmorët. Ne do të vazhdojmë të nderojmë dëshmorët”, tha ajo.

Ish- komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi, tha se beteja e Zhegocit është një ngjarje e madhe në historinë e luftës së UÇK-së, e cila u bë pjesë e themelit të lirisë që ne gëzojmë sot.

“Sot përkujtojmë një ngjarje të madhe. Ato ditë para 20 vjetësh kanë qenë shumë më të ftohta, shumë më të rënda, por lufta jonë ka qenë fitimtare. Garancia për liri dhe pavarësi tonë janë ata që u bënë themel i lirisë sonë dhe që kurrë nuk mund të ketë ngjarje të tillë. Garanci janë edhe të rinjtë e vendit tonë”, tha ai/Arbresh.info.

Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”

Publiée par Arbresh.info sur Lundi 15 avril 2019

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara