Historia e tërmeteve më vrastarë në Shqipëri, deri me 400 viktima

01:02 | 22 Shtator 2019

Tërmetet më të fuqishëm që e kanë goditur Shqipërinë janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.

Dëmet materiale qenë të mëdha.

Tërmeti më i fundit me viktima ka ndodhur në Shkodër, më 15 Prill 1979, ku një tërmet 8 ballë shkaktoi 40 të vdekur dhe dëmtoi 17.118 shtëpi.

Por, ky nuk ka qenë më vdekjeprurësi për qytetin verior. Më 1 qershor të vitit 1905, tërmeti në Shkodër la pas 200 të vdekur.

Më 22 dhjetor të 1919-ës, lëkundjet tronditën zonën e Leskovikut, Konicës dhe zonat kufitare me Greqinë ndërsa nuk pati të dhëna për viktima, por dëmet ishin të mëdha.

Një vit më vonë, ishte radha e Elbasanit, ku u regjistrua një tërmet, i cili shkaktoi 14 viktima, mbi 300 të plagosur dhe shumë shtëpi të shkatërruara.

Në 30 mars të 1921-shit, lëkundjet u ndien në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, por nuk pati të dhëna për dëme në njerëz, ndërsa dhjetëra shtëpi u rrënuan. Katër vite pas çlirimit të vendit, në gusht të 1948-ës, zona e Shkodrës u prek nga tërmeti dhe atëherë u raportuan një i vdekur dhe 27 të plagosur, por edhe dëme të mëdha, ku ndër të tjera dëmtime të shtratit të Bunës.

Në 1 shtator të 1959-ës, tërmeti përfshiu zonën e Myzeqesë. Në total janë dëmtuar 944 shtëpi, ndërkohë që shkatërrohen shumë objekte të tjera.

Pas 8 vitesh një tërmet i fortë tronditi zonën e Librazhdit dhe Dibrën e Madhe në Maqedoni. Atëherë u shënuan 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, si dhe mbi 6,336 ndërtesa të shkatërruara.

Tërmeti i fundit i fortë është regjistruar në Tiranë në janar të 1988-ës, ku dëmet kryesore ishin në fshatrat Arbanë dhe Petrelë.

Tërmeti më i madh në Shqipëri është regjistruar në Berat, më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 të vrarë në Kala.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara