Asnjë taksiste në Kosovë, në Ditën Botërore të taksistëve

22:42 | 22 Mars 2015

22 marsi njihet si Dita Botërore e Taksistëve. Ky profesion mbetët sfidues për gratë në shumë vende të botës. Në Kosovë kjo ditë i gjen kompanitë e taksive pa ndonjë grua taksiste.

Për plot dy vite ka ushtruar profesionin si taksiste. Rast i rrallë në Kosovë. Ajo me veturën e saj Golf 2, iu shërbente udhëtarëve Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas.

Por, ka pothuajse një vit që ajo e la punën si taksiste, për arsye që nuk i dinë as kolegët e saj.

E quanin “Like”, kolegët e saj taksistë e përshkruajnë si një grua tepër të zonjën.

“Ka qenë e zonja. E sjellshme, e sinqertë”, thotë taksisti E. Vuthaj.

Ai tregon se kolegia e tij taksiste ka punuar sikur të gjithë të tjerët aty, nuk thotë të ketë pas ndonjë problem ndonjëherë.

“Ka punuar në mesin tonë dy vite…. Njësoj, këtë transport që e kemi kry na, e ka kry edhe ajo njëjtë sikur na. Jemi munduar me u sjellë mirë me të, sikur me një motër tonë. Ajo është sjellë ndoshta edhe më mirë me ne”, thotë ai.

Vuthaj thotë që në shumë raste ajo ka punuar me familjarë, që sipas tij, ka qenë më e lehtë edhe për të edhe për pasagjerët.

“Ne marrim pasagjerë njëri pas tjetrit, e zbatojmë rendin. Nuk ka pas telashe. Kur kemi pas mundësi i kemi dhënë edhe përparësi, me shku më herët”, thotë ai.

Aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë taksiste grua. Në disa kompani të taksive herë pas herë ka qenë e punësuar ndonjë taksiste e gjinisë femërore, por çdo herë afat shkurtë.

Në kompaninë “Golden Taxi”, vitin e kaluar ka qenë e punësuar një grua.

Eprorët e saj thonë se puna e saj është ndërprerë për shkak të problemit që ka pas ajo me gjetjen e lokacioneve për ku është drejtuar.

“Tek ne ka pasur femër taksiste, qysh në fillim para dy vite e gjysmë kur kemi filluar me punën, ne kemi pas hapë konkursin edhe për femra. Janë lajmëruar shtatë ose tetë që më kanë thirr në telefon, kanë qenë të interesuara për të punuar, por nuk kanë ardhur pastaj, nuk e di për çfarë arsye. Vitin e kaluar, në shtator e kemi punësuar një femër e cila ka qenë e interesuar të punoj si taksiste. Ka punuar tre muaj dhe e kemi pas problemin kryesor tek adresat që nuk i ka pas të qarta tamam”, thotë Rexhep Demolli, menaxher në “Golden Taxi”.

Ai thotë se janë shumë të interesuar të punësojnë gra në kompaninë e tyre. Por, sipas tij interesimi është fare i ulët.

Demolli tregon se shumë gra kanë aftësi të larta në vozitje, shpesh edhe më shumë se meshkujt. Veçse sipas tij, gratë kanë më shumë ngecje se meshkuj lidhur me adresat.

Ai thotë se në shumicën e rasteve duhet të orientohen përmes “marketeve” të ndryshme.

Demolli thotë se pa problem do të organizonin stafin në 50 për qind gra dhe 50 për qind meshkuj. Madje, thotë se do të ofronin edhe mundësinë që një grup grash të punojnë vetëm në orarin e paradites.

Pse nuk ka gra taksiste në Kosovë, ai nuk e lidh këtë gjë me çështjen e sigurisë. Thotë se 24 orë veturat janë nën vëzhgim.

Në Kosovë, ende janë shumë profesione të cilat mendohen të jenë të ‘rezervuara’ vetëm për meshkujt. Një ndër ta mbetet edhe profesioni i taksistit.

Sociologia Linda Gusia, thotë se ende ekziston një paragjykim drejtë grave në këtë aspekt.

Megjithatë, sipas saj, shumë shpejtë në Kosovë do të dalë një numër i madh i grave që do të ushtrojnë profesionin e taksistes.

“Tradicionalisht posti i taksistit është i burrave. Është një farë paragjykimi që gratë nuk janë shumë të kujdesshme në vozitje, edhe pse statistikat e tregojnë të kundërtën. Por, puna e taksistit është edhe punë me rrezik. Megjithatë, në çdo profesion që dominojnë burrat është vështirë me e “thy” tabunë. Duhet guxim për me i sfidua, derisa të dalin disa gra me e “thy” këtë paragjykim. Por, mendoj që së shpejti do të ketë gra taksiste edhe në Kosovë”, thotë ajo. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara