A i helmonte Napoleoni të plagosurit e tij?

00:20 | 6 Gusht 2017

Në 27 maj 1799, Napoleonit i duhej të tërhiqej nga qyteti i Xhafas në Egjipt, dhe ai kishte dërguar pjesën më të madhe të ushtarëve të tij të plagosur, si dhe kish marrë masat e nevojshme për sigurinë e tyre. Por, rreth 30 prej tyre u sëmurën prej murtajës bubonike dhe nuk mund të transportoheshin me pjesën tjetër të ushtrisë, nga frika se mos përhapnin infeksionin.

Napoleoni kuptoi se nëse linte pas këta ushtarë, ata do të kapeshin prej turqve, të cilët kishin një reputacion se i torturonin robërit deri në vdekje. Kështu Napoleoni i propozoi doktorit të ushtrisë, një burrë me emrin Desgenettes, që do të ishte më pak mizore t’u jepej fund jetëve të të sëmurëve me një dozë të madhe opiumi, një sugjerim ndaj të cilit doktori refuzoi.

Në fund, Napoleoni la pas një grup rojash që t’i ruanin, disa prej të cilëve u gjetën dhe shpëtuan nga anglezët pas tërheqjes. Ky episod i vogël shkaktoi një furtunë të vërtetë sa i përket marrëdhënieve publike të Napoleonit. Historia erdhi e u fry, derisa njerëzit filluan të besojnë gjerësisht se Napoleoni kishte kryer, në fakt, helmimin e disa qindra ushtarëve.

Oficerët dhe ushtarët francezë e besonin si të vërtetë dhe e pranonin kur kapeshin robër, dhe pjesa më e madhe e popullsisë angleze e besonte gjithashtu këtë histori. Historia e helmimit e ndoqi pas Napoleonin gjatë gjithë jetës.

Në vitin 1804, ai porositi një pikturë me autor Antoine-Jean Gros, ku paraqitej perandori i ardhshëm që vizitonte ushtarët e sëmurë në Xhafë, në një përpjekje për të shuar historinë e cila vazhdonte të botohej në shtypin britanik. Vepra e Gros konsiderohet tashmë kryevepra e parë e artit napoleonik dhe ishte me shumë ndikim në themelimin e shkollës neoklasike të artit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara