Sot në Muzeun e Kosovës hapet ekspozita “Unë jam Shqiptar”

09:08 | 10 Gusht 2018

Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë hap ekspozitën me titull “Unë jam Shqiptar”.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 10.8.2018-31.08.2018/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale