Shkëlzen Doli do të interpretojë himnin në ndeshjen Kosovë – Angli

00:19 | 17 Nëntor 2019

Ndeshja e nesërme Kosovë – Angli ka tërhequr vëmendjen e madhe jo vetëm të opinionit në Kosovë, por edhe atij botëror.

“Mikëpritja e jashtëzakonshme e popullit të Kosovës ndaj tifozëve të shumtë anglezë, por edhe flamujt dhe pankartat për mirëseardhjen e “Tre Luanëve” kanë bërë që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes nga media britanike. Ndërkohë, organizimi i ndeshjes është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa me praninë e tij këtë ngjarje do ta nderojë edhe violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli. Ai do të bëjë interpretimin e himnit të Kosovës , gjë e cila pa dyshim do të jetë emocionuese”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Shkëlzen Doli është anëtar i Filharmonisë së Vjenës dhe Operës shtetërore të Austrisë. Ai ka ndjekur me sukses karrierën e një muzikanti klasik duke ruajtur lidhjet e tij të forta me muzikën autoktone shqiptare, me të cilën ai është rritur dhe edukuar.

“Shkëlzen Doli ka lindur në Elbasan dhe është rritur në Gjakovë. Përveç shfaqjeve të shumta si solist, Shkëlzen Doli ka performuar edhe me ansamble të njohura të Filharmonisë së Vjenës si: “Wiener Virtuosen”, “Toyota Master Players”, “The Philharmonics” për muzikën bashkëkohore, “Ensemble Wiener Collage”etj. Përveç Evropës, Shkëlzen Doli ka performuar në Amerikën e veriut dhe në atë të jugut, Rusi, Afrikë, Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indi, Kinë, Taiwan, Kore të jugut, Japoni etj” thuhet më tutje në njoftimin e FFK-së./eonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara