Prokuroria turke hap hetime masive ndaj shkrimtarëve e publicistëve

22:07 | 2 Qershor 2019

Prokuroria turke ka nisur hetime ndaj shkrimtarëve, në atë që po konsiderohet si shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së fjalës.

E, në mesin e letrarëve është edhe fituesja e shumë çmimeve, Elif Shafak. Ajo ka konfirmuar se prokurorët i kanë kërkuar sqarime për disa nga paragrafët e librave të saj, sidomos në veprat “The Gaze”, publikuar më 1999, dhe “Three Daughters of Eve”, në vitin 2016, raporton KTV.

Në “Hay Festival”, shkrimtarja ka thënë se është vështirësuar jeta e akademikëve në Turqinë që i prin botës për burgosjen e gazetarëve. Reagimi i saj vjen pak ditë pas persekutimit dhe abuzimit publik që po u bëhet shkrimtarëve në Turqi.

Shafak është figura më e njohur që ka reaguar pas arrestimit të shkrimtarit Abdullah Shevki, së bashku me publicistin e tij, Alaatin Topçu. Të dy janë arrestuar për përmbajtjen në një prej romaneve të tij, në të cilin një pedofil flet për abuzimin seksual të fëmijëve.

Oda e Avokatëve në Turqi, që ka bërë disa ankesa ndaj shkrimtarit Shevki dhe publicistit Topçus, publikisht ka kërkuar që dyshja të akuzohet për abuzim seksual dhe akte tjera kriminale.

Gjithçka nisi javën e kaluar, pasi një faqe e romanit të Shevkit u shpërnda në Twitter, duke nxitur kështu reagimin e ministrit të Kulturës, i cili bëri padi në drejtim të shkrimtarit.

Sipas medieve turke, ajo faqe e romanit përmbante rrëfimin në vetën e parë të një pedofili. E ky rrëfim nxiti shumë njerëz që të shpërndajnë përmbajtje të romaneve tjera, në mesin e tyre shkrimtaret Shafak e Ayshe Kulin, ndaj të cilave pati akuza të ngjashme me shkrimtarët tjerë.

“Çdo gjë që ka të bëjë me abuzimin seksual të fëmijëve në letërsinë turke do të hetohet. Ky është fokusi i ri i prokurorëve. Dhe, natyrisht, ironia më e madhe është se kjo po ndodh në shtetin që ka numrin më të madh të dhunës seksuale ndaj grave e fëmijëve. Gjykatat turke nuk po marrin masa dhe ligjet nuk janë ndryshuar. Në vend se të marrin masa urgjente ndaj dhunës seksuale, ata persekutojnë shkrimtarët. Kjo është tragjedia më e madhe që është shndërruar në gjueti shtrigash”, ka thënë Elif Shafak, shkrimtare turke.

Kjo nuk është hera e parë që Shafak është përballur me akuza të tilla. Në vitin 2006, ajo ishte akuzuar për fyerje të turqizmit, kur prokurorët vërejtën se një personazh i romanit të saj “The Bastard of Istanbul”, masakrës së armenëve në Luftën e Parë Botërore i referohej si gjenocid.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara