Ndahet nga jeta shkrimtari Fatos Arapi

09:18 | 11 Tetorë 2018

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari i njohur Fatos Arapi. Të afërmit kanë bërë me dije me dije se ceremonia e varrimit bëhet në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Fatos Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë, Shqipëri. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës.

Ka fituar disa herë çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi.

Në vitin 2008  fitoi ‘Kurorën e artë’ në manifestimin poetik ‘Mbrëmjet e poezisë strugane’ dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Shpërndaje në rrjete sociale