Kosova fuqizohet në rrugën drejt “Oscar”

10:53 | 7 Gusht 2019

Kosova për të gjashtin vit do të propozojë kandidatin e vet për nominim për edicionin e 92-të të çmimeve “Oscar”.

Të martën, Qendra Kinematografike e Kosovës ka ftuar të gjithë filmbërësit e interesuar që t’i dërgojnë propozimet e tyre për konsiderim për çmimin e madh për kategorinë për film në gjuhë të huaj, që mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit në edicionin e 92-të “Academy Awards”, shkruan sot Koha Ditore.

Ndryshe nga viti i kaluar kur komisioni i QKK-së kishte pasur vetëm filmin “Martesa” si propozim, sivjet gara duket të jetë më interesante.

Së paku tri projekte filmike të mbështetura nga buxheti i shtetit mund t’i plotësojnë kriteret për t’u bërë kandidat.

Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, pritjet janë që “gara të jetë më interesantja deri më tani me tre filma të shkëlqyer”. Duke pasur si kusht për konkurrim të gjitha projektet e metrazhit të gjatë që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë me radhë në kinematë e vendit nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 30 shtator të këtij viti, “Nëntor i ftohtë”, nën regjinë e Ismet Sijarinës, tashmë është filmi i parë që i plotëson kushtet e kërkuara.

“Të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova, që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 1 tetor 2018 dhe jo më larg se data 30 shtator 2019, dhe të cilët i plotësojnë kushtet e tjera të vëna nga ‘Academy of Motion Picture Arts and Sciences’, thuhet në njoftimin e afishuar në faqen e QKK-së ku është dhënë edhe një vegëz e rregullës së trembëdhjetë të OSCAR-it për filmat ndërkombëtarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara