Atë Anton Harapi – Mishërimi i hirit të zotit dhe dashurisë kombëtare

16:06 | 12 Shkurt 2018

Vepra e Atë Anton Harapit është përshkruar nga hiri i Zotit dhe dashuria për atdheun dhe kombin e vet. Ai ka qenë njeri i vlerave dhe për këtë do të bindet secili që do t’i lexojë e do të thellohet në shkrimet e tij.

Atë Harapi dëshmoi shkathtësi kritikojë, sigurisht kur e donte nevoja, por tregoi edhe mënyrën dhe shtigjet e mëkëmbjes dhe të ardhmërisë së botës shqiptare dhe të njerëzve të saj, shkruan arbresh.info.

Në ligjëratën që mbajti kur mori detyrën e anëtarit të Regjencës tha: “Të krijojmë një fuqi morale në Shqipni, të krijojmë rendin e shoqnuer me një disiplinë dhe me një organizim të pështetun për drejtësi dhe dashuni. Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipnin: të bashkohemi mbasi vendi pret pështimin prej nesh e jo prej të huejve”. Që tregon një mendim që ka qenë do është edhe sot aktual në shoqërinë shqiptare.

Në kohën që jetoi ky atdhetar e veprimtar i madh, botën shqiptare e karakterizuan lëvizje, lëkundje dhe probleme të rënda, që ishin pasojë e sundimit të gjatë osmano-turk dhe mungesa e një të vërtetë kombëtare në shumicën e shtresave shoqërore. Për këtë arsye Harapi ishte i vetëdijshëm që secili shqiptar, sidomos intelektualët duhej të bënin gjithçka për të përmbushur detyra të ndryshme, qoftë në aspektin e njësimit kombëtar, qoftë të edukimit dhe të mbarësimit të kombit të vet.

Harapi sidomos theksoi rëndësinë e shumëfishte e kulturës së krishterë, që është bazë e kulturës moderne, ndërsa atdhetarizmin e konsideronte ndër idealet kryesore të krishterimit. Ai e shihte të pandarë “Atmenë e fenë” njashtu siç kishte bërë edhe Fishta.

Duke folur para foltores së gjyqit, kur komunistët e dënuan me vdekje, Harapi shprehu qartas rëndësinë e punës së barinjve shpirtëror shqiptar, sidomos të paraardhësve të Shën Franceskut të Azisit: “Në qe se me u undigue ligjeve hyjnore e Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetëse me i nxit kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe osht punë e dobët e tradhti, atëherë jo veç unë, po mbar franceskajt e Shqipnis jemi të dejë me dek”.

Ky autor ka shkruar shumë ese filozofike dhe teologjike gjithmonë pa e ndarë idenë e atdheut dhe të fesë.

Disa nga shkrimet e tij janë botuar në revistën e famshme të asaj kohe “Hylli i dritës” ku vlerësohet lart  nga gjithë bashkë kohanikët.

Esetë filozofike dhe teologjike

Përmendëm disa herë që karakteristikë e këtij autori ishte thënia e famshme, apo kompozimi që Fishta i kishte vënë në një tog fjalësh “Atme e fe”.

Gjithsesi i gjithë libri “Njisim kombtar dhe ideal kombtar” fillon me komente rreth komunizmit, politikës së jashtme dhe të brendshme.

Ai është i bindur se të pakët janë shqiptarët që vërtet e kanë kuptuar komunizmin edhe pse të gjithë kanë mësuar por komunizmin dhe ia mbajnë vetes komunistë. Harapi thotë që komunistët në Shqipëri nuk e dinë se çka bëjnë e çka thonë veç shkojnë me turmën.

Ai e dyshon kategorikisht dashamirësinë e komunistëve ndaj atdheut duke thënë që atyre u intereson doktrina e jo atdheu.

Vet fakti që në atë kohë bëheshin vëlla-vrasje dhe torturimet të kundërshtarëve provon idenë e tij. Ai shprehet gjithashtu se duhet bërë dallimi mes doktrinës komuniste dhe veprës komuniste pasi nuk janë të njëjta.

Kurse kur flet për politikën e jashtme kurrë s’kanë pasur një politikë të qartë të jashtme, veç i kanë ndjekur strategjitë të cilat u janë prezantuar. Në Luftën Botërore ata veç shihnin se kujt t’i bashkoheshin duke u kujdesur veç në prapavijë për interesat e veta.

Në pjesën tjetër ai tregon se pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë kishin diçka për të thënë. Qoftë mirë qoftë keq. Njerëzit ishin vënë para dy zgjedhjeve: ose të bashkoheshin me anarkistët ose ta braktisin fare çështjen kombëtare. Sipas tij ose do turpëroheshin duke pranuar ose do tregonin dobësi duke e braktisur fare çështjen kombëtare.

Për të çështja kombëtare ishte e lidhur me çështjet fetare. Ai mendonte se zoti do ta shpëtonte Shqipërinë. Ai kërkonte që ta ndërtojmë një fuqi morale në Shqipëri. Thoshte se shqiptarët janë shumë pesimistë. Duhet të gjendet diçka që njerëzit besojnë fuqishëm, duhet të besojnë në vitalitetin shqiptar. Duhet të besojnë në fuqinë e vullnetit të tyre, ngaqë po nuk besuan vetë shqiptarët kush do të besojë në ta. Ai kërkonte që të ndërtoheshin ndërgjegjet vetjake dhe kolektive.

E dyta sipas tij, duhet të krijohej fuqia shtetërore e bazuar në një disiplinë të shtrënguar dhe një organizim të vërtetë.

Harapi më pas ankohet se gjithçka bëhet për para dhe se vendi gjithmonë vihet në plan të dytë, si rrjedhojë propozon që njerëzit të sakrifikohen për çështjen kombëtare dhe për Shqipërinë.

Bashkim, bashkëpunim solidaritet!

Harapi ishte predikuesi më i fuqishëm i idesë së bashkimit. Harapi deklaron që tri fjalët e mësipërme duhet të nguliten në mendjen e çdo shqiptari. E mira e përbashkët ka një fuqi të bindshme në shpirtin e njeriut. Jeta dhe moraliteti i shqiptarëve janë atë ndara nga ushtima e idealistëve të cilët shkruajnë sikur të kishin humbur gjithçka.

Ndërkohë shprehet se në Shqipëri nuk ka një parti në kuptimin e plotë të fjalës, dhe se gjithçka është e ndarë në çeta, pjesëtarët e të cilave  veç bëjnë ujdi për kah ideali e organizata shoqërore. Këta njerëz nuk janë të bashkuar dhe se gjithçka mund t’i shtyjë në luftë me njeri tjetrin. Dhe se ai që vuan më së shumti nga gjithë ky konflikt, që në bazë e ka idealin e njëjtë, është vet populli.

Me sy kah e ardhmja: Zhvillimi i arsimit e shkencës

Si të gjithë intelektualët e tjerë që jetonin në kohën e Harapit, edhe ai predikonte me ngulm zhvillimin e rrymave të reja të arsimit. Është tamam kjo një nga arsyet që e qon Harapit drejt trekëmbëshit.  Këtu nuk hyn vetëm zhvillimi i arsimit e arsimimi i popullit, por gjithçka që ka të bëjë ngritjen e vetëdijes kombëtare. Duhet të harrohen ditët kur shqiptarët bën nën  gabime si shkak i mungesës së dijes dhe injorancës.

Ndër të tjera predikon mësimin e atdhedashurisë, apo rimësimin e atdhedashurisë si një vlerë e përhershme e kombit shqiptar.

Krishtërizmi si krijues i kohës moderne                                                       

Feja ishte përherë pjesë e këtij neriu. Fare thjesht ai e shihte fenë brenda gjithçkaje dhe si përgjigje të gjithçkaje.

Ai iu drejtohet bashkëqytetarëve dhe bashkë kohanikëve intelektualë me fraza të thjeshta dhe me idealin e qartë se Atmeja e Feja janë pjesë e njëri-tjetrës dhe thelbi ku duhet të fillojë gjithçka.

Harapi e refuzonte kategorikisht idenë e komunistëve rreth shtetit ateistë. E gjithë ideja e ij lidhej me atë që njerëzit nuk mund të krijojnë apo të besojnë pa besuar në diçka të vërtettë. Pa besuar në një ideal shqiptar, pa besuar në njeri tjetrin dhe pa besuar në vete. Ndoshta jo drejtpërdrejt por feja ndonjëherë bëhej shtysë e ngritjes së moralit vetjak e kolektiv.

/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale