50 gjyle topi gjenden në Kalanë e Prizrenit

21:24 | 15 Prill 2015

Nisën aksionin për pastrimin e Kalasë së Prizrenit, por gjatë gërmimeve në kala, arkeologët kanë gjetur mbi 50 gjyle topi dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Sipas  arkeologut, Shafi Gashit,  ato i përkasin përgatitjes për rezistencë të kohës së Lidhjes së Prizrenit.

Mjete të tilla luftarake u hasën në qendër të qytetit edhe në maj të vitit 2010-të. Sipas Gashit, gjatë gërmimeve janë gjetur mbi 2 mijë eksponate, të cilat do të ekspozohen për të gjithë turistët në ambientet e kalasë, të cilat janë ndërtuar mbi themelet e ndërtesave të vjetra, raporton televizioni publik.

Por një pjesë e kalasë së qytetit të vjetër u rrëzua disa javë më parë, ndërsa restaurimi i saj ende nuk ka filluar. Drejtori i QRTK-së, Samir Hoxha, premton se puna për këtë do të nisë në fillim të javës së ardhshme.

Për përfundimin e kësaj faze të restaurimit Ambasada Amerikane dhe Ministria e Kulturës kanë ndarë një fond prej 350 mijë eurove. Gjatë punimeve që po bëhen në këtë fortifikatë, me sipërfaqe prej 1.5 hektarë, janë hasur objekte të veçanta që i përkasin periudhës së bronzit të vonë deri në luftërat e fundit ballkanike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara