‘Your story is my story’ solli abuzimet seksuale ndaj burrave dhe grave gjatë luftës në Kosovë

08:29 | 10 Gusht 2018

Alberina Haxhijaj

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual vazhdojnë të mbeten të heshtura dhe të padiskutueshme.

Sot përmes performancës “Your story is my story” u tregua nevoja që ka kjo shoqëri për të dëgjuar këto tregime duke iu ofruar përkrahje grave dhe burrave viktima në Kosovë, shkruan KultPlus.

“… Unë isha e plagosur në këmbë dhe krahëror. Ata nuk më kursyen. Nuk kishin konsideratë… Nga krahërori më rridhte shumë gjak. Nuk mbaj mend shumë… Kur m’u kthye vetëdija, mbaj mend se pashë dy burra përmbi mua; njëri po më mbante me forcë, tjetri po më… të gjitha u shkatërruam”, është vetëm një pjesë nga tekstet të cilat u lexuan sot të Ura e Arastës në Prizren, në kuadër të performancës emocionuese “Your story is my story”.

Performanca mëton sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi ngjarjet të cilat i kanë përjetuar gratë dhe burrat e Kosovës si të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga regjimi serb.

Sipas regjisorit të performancës, Besim Ugzmajlit, më e rëndësishmja e performancës është fakti se rrëfimet të cilat janë përdorur janë reale dhe të treguara nga gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

“Këto rrëfime përmes leximit skenik jemi munduar që t’ia ofrojmë publikut në mënyrë që të krijojmë një lloj kujtimi të asaj që ka ndodhur në luftë dhe njëfarë sensibilizimi me atë që ka ndodhur. Mirëpo përtej saj po bëjmë thirrje për destigmatizimin e grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës”, u shpreh ai për KultPlus.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që në shoqëri të diskutohet për këto tema e kjo sipas tij lidhet shumë edhe me vendin ku u shfaq performaca, në urë, e ku të gjithë kalimtarët mund të bëheshin pjesë e saj.

“Nëse i lexon tregimet e sheh se aktet që u kanë ndodhur atyre janë jashtëzakonisht të dhunshme, të organizuara dhe që në njëfarë forme kanë pasur një impakt jashtëzakonisht të madh në personalitetin e tyre, në familjet e tyre dhe në mbarë shoqërinë tonë”, theksoi ai.

Lexues në këtë performancë ishin: Melihate Qena, Gresa Pallaska, Jeta Krasniqi, Arben Ahmeti, Jeta Berisha dhe Xhejlane Tërbunja.

Aktorja Xhejlane Tërbunja tregoi për KultPlus se përmes kësaj performancë kanë dashur që të ndanin me njerëzit një pjesë nga ajo se çfarë u ka ndodhur grave dhe burrave të mbijetuar të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Shpresoj që jemi duke ndihmuar në këtë drejtim pasi që ne si artistë kaq edhe mundemi me bo mirëpo, ata të cilët janë kompetent dhe kanë mundësi të bëjnë akoma më shumë, duhet ta bëjnë. Shpresoj që përmes kësaj performance të ju ndihmojmë edhe këtyre grave që të shprehen dhe të tregojnë se çfarë ka ndodhë, sepse nëse këto gjëra mbahen brenda janë edhe një lloj vetëvrasje e ngadalshme”, u shpreh ajo.

Sipas Jeta Berishës, pjesë e shoqërisë civile, përmes performancave artistike mund të arrihet shumë mirë përçimi i mesazheve vetëdijesuese dhe kjo perfomancë do të shërbejë si e tillë.

“Shoqëria jonë ka filluar që të vetëdijesohet se këto gra dhe burra janë pjesë e shoqërisë sonë dhe e familjes. Sot ne u bëmë në një formë zëri i këtyre grave dhe ndamë tregimet e tyre personale, në këtë mënyrë ne po tregojmë që jemi përkrah tyre dhe do vazhdojmë që t’i përkrahim”, u shpreh ajo.

Kjo performancë leximi është organizuar nga OJQ THY në bashkëpunim me Forum ZFD, Integra, UN Women dhe DokuFest. / KultPlus.com

Shpërndaje në rrjete sociale