Zjarret në Athinë mund të kenë nisur nga plaçkitësit

10:28 | 24 Korrik 2018

Mbi 50 persona kanë humbur jetën nga zjarri i nisur një ditë më parë në Athinë, dhe rreth 150 tjerë kanë mbetur të lënduar e disa të tjerë janë zhdukur. Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave që tentuan t’iu shpëtojnë flakëve duke hyrë në ujë, shkruan Tch.

Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur. Por si nisi zjarri në Athinë?

Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta. Por zyrtarët vendas janë shprehur për AFP se mund të kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale