Shahini: Të shpëtohet ekonomia, Qeveria të ndaj 250 milionë euro për paga në sektorin privat

11:45 | 30 Mars 2020

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ka thënë se përkrahin pakon financiare të propozuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë.

Por, Shahini në një konferencë për medie ka propozuar që punëtorët e sektorit privat të paguhen me pagën mesatare në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Ai ka thënë se fokusi kryesor i Qeverisë duhet të jetë shpëtimi i ekonomisë.

“Qeveria e vendit këtë vit do të ballafaqohet me shumë probleme por Alenaca i propozon që këtë vit të fokusohet në dy drejtime, njëra për të menaxhuar virusin dhe e mbështet në këtë drejtim sikur çdo pako që është në të mire të qytetarit dhe biznesit, drejtimi tjetër është shpëtimin i ekonomisë së shtetit. Pako e propozuar qe ka fokus disa sektore ka gabuar pasi mbi 90% e bizneseve nuk operojnë sepse janë të ndaluara nga Qeveria e disa të solidarizuara, ne kërkojmë që pagat në sektorin privat të paguhen me pagë mesatare në sektorin privat ashtu edhe publik, dhënia e pagave sociale është punë e mirë” , ka thënë ai.


Sipas Shahinit ekonomia këtë vit do te ketë humbjen më të madhe që nga paslufta.

“Për dy muaj Qeveria vetëm për paga duhet te ndajë mbi 250 milionë euro. Duhet te bisedohet edhe me pronarët e lokalëve për qira pasi mbi 70% e bizneseve punojnë me qira”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka kërkuar rishikim të buxhetit edhe thithje të fondacioneve nga jashtë.

“Duhet bëhet rishikimi i buxhetit, dhe merren para nga aty dhe të mbështeten urgjentisht të gjithë sektorët. Duhet të kthemi sa me shpejtë në pune dhe aktivitete sepse ekonomia e vendit këtë dit do të shënoj humbjen me të madhe që nga paslufte e që do të jetë e pakompensueshme. Qeveria duhet te marrë fonde nga jashtë Qeveria duhet të fokusohet ne ndërtimin e raporteve të mira me vendet ndërkombëtare e asesi të zbehen. Aleanca i mbështet institucionet e vendit, dhe gjithë bizneset duke ftuar Qeverinë të mos përjashtoj asnjë biznes nga fondi pasi të gjitha u janë nënshtruar urdhrave të Qeverisë për mbyllje të bizneseve për të parandaluar përhapjen e virusit korona” ka shtuar ai.

Ndryshe sot edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë kërkuar që të ketë rritje të pagesës së propozuar ngë Qeveria e Kosovës për sektorin privat./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara