Prej një viti nuk kanë marrë paga, sindikata e Lotarisë së Kosovës ka një kërkesë publike

16:04 | 3 Prill 2020

Lotaria e Kosovës ka gjithsej 65 punëtorë të cilët për afro një vit nuk kanë marrë paga dhe kanë mbetur në pritje të procedimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës. Deri më sot nuk është marrë asnjë veprim edhe pse draft ligji është i gatshëm në zyrën ligjore të Ministrisë së Financave.Lotaria e Kosovës ka kërkuar takim me Ministrin e Financave por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Duke pas parasysh gjendjen e rëndë të punëtorëve tanë sidomos tani në luftimin pandemisë botërore, koronavirusit, Sindikata e Lotarisë së Kosovës tash e disa herë ka bërë kërkesë për përfshirjen e punëtorëve të saj në pakon financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës ku ata do të mund të përfitonin një ndihmë financiare mirëpo as në këtë kërkesë nuk ka pranuar përgjigje. Gjatë takimit dhe diskutimeve me punëtorët tanë është shprehur vendosmëria e vazhdimit të protestave të cilat janë ndërprerë në momentin kur është marrë vendimi për përgatitjen e ligjit për Lotarinë e Kosovës.

“Ne, Sindikata e Lotarisë së Kosovës gjithmonë jemi për ndjekjen e rrugëve institucionale në arritjen e zgjidhjes së problemit tonë mirëpo momentin që shterrohen të gjitha mundësit tjera, ne do të jemi në rrugë bashkë me punëtorët tanë deri në përmbushjen e kërkesave tona. Situata ekonomike e familjeve tona është tejet e rënduar kështu që dalja në rrugë në kohë pandemie nuk do ta vështirësoj më tepër. Mbesim me shpresë në arritjen e një zgjidhjeje dhe ndihme nga ana e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në kumtesë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara