Në Kosovë u shpenzuan 31 milionë euro për zgjedhje në 10 vite

20:12 | 28 Gusht 2019

Kosova ka shpenzuar shuma të mëdha parash vetëm për organizimin e zgjedhjeve. Sipas të dhënave të KQZ-së mbi 31 milion euro janë harxhuar vetëm për 10 vitet e fundit. Ndërsa një shumë prej 5.7 milion euro është miratuar edhe për zgjedhjet e 6 tetorit, e që janë zgjedhjet më të shtrenjta parlamentare që nga Pavarësia.

Mbi 31 milion euro janë harxhuar për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë që prej pas Pavarësisë, duke përfshirë këtu ato parlamentare dhe lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së në vitin 2017 është shpenzuar më së shumti , rreth 4 milionë euro për zgjedhjet parlamentare dhe rreth 7 milion për ato lokale.

Ndërsa zgjedhjet e 6 tetorit janë miratuar 5.7 milion euro, mirëpo zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se mund të kushtojnë më pak se sa është planifikuar.

“Ky është vetëm një planifikim, çka do të thotë se ne duhet të presim deri në përfundim të procesit zgjedhor për të ditur koston e saktë të këtyre zgjedhjeve që zakonisht është më e ulët se parashikimet që bëhen në fillim”, tha Valmir Elezi.

E njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, e sheh si të dëmshme për buxhetin e shtetit një shumë të tillë për organizimin e zgjedhjeve.

“Tashmë që KQZ ka miratuar atë buxhet ne duhet të pajtohemi në mënyrë që të kemi zgjedhje sa më korrekte dhe të organizuara mirë, por faji më i madh i mbetet qeverisë që ka dëmtuar buxhetin. Që të kryhen këto zgjedhje nuk dihet se ku do të merren këto mjete pasi që dihet tashme që Kosova është e futur në borxhe publike të brendshme dhe të jashtme”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mustafë Kadrijaj.

Kurse Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL, fajin për shpenzim të buxhetit në zgjedhje ia lë koalicioneve jo stabile, siç i quan ajo, që kanë qeverisur me vendin.

“Koalicionet jostabile na kanë prurë në këso lloj situatash ku në 10 vitet e fundit Kosova ka organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme dhe si pasojë e kësaj të shpenzohen edhe miliona euro në mbajtjen e zgjedhjeve. Sikur të kishim qeveri stabile ato para më të vërtet do të shpenzoheshin më mirë”, deklaroi Mexhide Demolli-Nimani.

Për dallim nga tre palë zgjedhjet e kaluara parlamentare, këto të vitit 2019 do të kushtojnë më shtrenjtë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara