Ministrja Bajrami në takim me Guvernatorin e BQK-së, diskutohet kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19

14:58 | 9 Qershor 2020

Ministrja Hykmete Bajrami priti në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti ku diskutuan për situatën ekonomike në vend të shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe për Programin e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike, transmeton arbresh.info.

Gjatë takimit u diskutua edhe për përgatitjen e Rishikimit të Buxhetit duke u bazuar në Programin e Qeverisë, i cili program ka për fokus fuqizimin e sektorit privat dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Ministrja Bajrami e vlerësoi punën që po bënë BQK-ja si dhe kërkoi rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për implementimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike duke pasur parasysh se një pjesë bukur e mirë e investimeve në këtë fushë do të jetë përmes rritjes së financimit kreditor ku target kryesor do të jetë përmirësimi i kushteve të financimit për sektorin privat me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërsa guvernatori Fehmi Mehmeti uroi Ministren Bajrami për pozitën e re dhe theksoi se sektori bankar në Kosovë ka një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë.

Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh rënien e ekonomisë për shkak të pandemisë COVID-19, BQK-ja është e interesuar që bashkë me Qeverinë të jap kontributin e saj gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike./arbresh.info/

 

 

Lajmet më të lexuara