Ministri Beqaj në Paris: Potenciali më i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës është rinia

11:57 | 16 Mars 2018

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë të MEDEF International që mbahet në Paris.

Në fjalën e tij të mbajtur para afaristeve kosovar dhe francez, ministri Beqaj ka folur për potencialin e Kosovës për zhvillim ekonomik, duke theksuar se Kosova kapacitetet dhe potencialin më të madh për zhvillim ekonomik e ka rininë e cila po ecën shumë më shpejt se institucionet dhe është bërë burim i eksportit.

“Krahas të gjitha resurseve natyrore, resursi më i rëndësishëm dhe potenciali më i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës është rinia, janë të rinjtë dhe të rejat tona, të cilët po ecin shumë më shpejt se institucionet dhe të cilët janë burim i eksportit dhe që ne dëshirojmë t’i favorizojmë”, theksoi në fjalën e tij ministri Beqaj.

Ministri Besim Beqaj në takimin e lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë ka folur edhe për zhvillimet e reja dhe inovative në ekonominë botërore, me theks te ekonomia digjitale, duke potencuar se ekonomia botërore po lëviz shumë shpejt nga ekonomia reale drejt ekonomisë virtuale.

Në lidhje me punën e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj ka thënë se ministria do t’ju mundësojë të gjitha ideve inovative që të zhvillohen dhe të përkrahen financiarisht deri në momentin kur ato bëhen të gatshme për tu financuar nga bankat.

“Përmes komunikimit me Universitetin po tentojmë ta lidhim ekonominë me shkencën, me arsimin, që njëra-tjetrës t’i përgjigjen në kushteve të reja. Me rininë që e kemi Kosova do të bëhet qendër rajonale për inovacion dhe ndërmarrësisë”, shtoi ministri Beqaj.

Në takimin e Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë, përveç ministrit Besim Beqaj, po merr pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. ​

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara