Leku në epërsi ndaj valutave të huaja, ‘shembet’ lira turke, euro dhe paundi britanik

23:28 | 23 Maj 2018

Leku vijon të mbajë epërsinë ndaj valutave të huaja që këmbehen në tregun vendas valutor. Monedhave të huaja që kanë regjistruar humbje të ndjeshme u është shtuar edhe lira turke, e cila ditët e fundit është zhvlerësuar duke zbritur në nivelin e 22.4 lekëve.

Javën e kaluar kjo valutë qëndronte në vlerat e 24.37 lekëve. Prej fillimit të muajit Maj, lira është zhvlerësuar me rreth 13% të vlerës së saj kundrejt lekut. Ndryshimi erdhi si pasqyrim i situatës në tregjet ndërkombëtare, ku lira turke ra pasi agjencitë e vlerësimit ngritën alarmin mbi planet e vendit për të shtrënguar politikën monetare.

Në rënie ditën e sotme shfaqet edhe monedha e përbashkët europiane, e cila ka humbur 0.1 pikë të tjera ndaj lekut. Euro ndodhet tashmë në nivelin e 126.5 lekëve në shitje dhe 127.4 lekëve në blerje.

Një zhvlerësim ka pasur edhe paundi britanik, i cili ka zbritur në nivelin e 144 lekëve. Tregjet duket se po ecin në errësirë sa i takon kësaj valute, prej mungesës së të dhënave mbi politikën monetare të Bankës së Anglisë. Ndërkohë, fryma e skepticizmit sa vjen e shtohet me përparimin pa progres të negociatave për daljen nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë, në rritje ditën e sotme është shfaqur dollari amerikan, i cili ka rifituar disa prej humbjeve të ditës së djeshme. Dollari këmbehet sot për 107.6 lekë në shitje dhe 108.5 lekë në blerje. Momenti pozitiv i valutës së SHBA ndjek ecurinë e tij ndaj shportës së valutave kryesore në tregje.

Sa i takon valutave të tjera, dollari australian dhe ai kanadez kanë rënë përkatësisht në 81 lekë dhe 83.4 lekë, ndërsa franga zvicerane ka fituar plot 1 pikë ndaj lekut krahasuar me ditën e djeshme, duke arritur në kuotën e 108.5 lekëve./Tv.Scan/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara