Kryeshefi i Telekomit i bindur se përmbaruesi do të vendos në favor të tyre

08:35 | 18 Korrik 2019 | Agnesa Çitaku

“Nuk do të vendoset në favor të Z-Mobile”.

Kështu ka deklaruar në një prononcim dhënë për arbresh.info krye shefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Ai ka shtuar gjithashtu se kanë prova të reja do të sjellin rezultat tjetër.

“Nuk do të vendoset në favor të Z-Mobile, jam shumë i sigurt që nuk do të vendoset. Ne e kemi një vend të arbitrazhit dhe e kemi njoftë si të tillë, por provat e reja të cilat do të dalin do të sjellin diçka krejt tjetër”

Istrefi ka thënë gjithashtu se me veprimin e fundit Z-Mobile ka bërë shkelje të mirëbesimit.

“Ne jemi në fazën e negociatave me Z-Mobile sipas kontratës së MSA-së që jemi të obliguar deri më 31 korrik me negociu me ta. Ata me këtë kanë bërë shkelje të mirëbesimit në raport kontraktual në të cilin jemi. Ne jemi duke i mbledhur të gjitha provat që është dashur të zbatojnë të gjitha palët për negociata në mirëbesim, ne do t’i dërgojmë te përmbaruesi, dhe besoj se do ta argumentojmë të kundërtën dhe do ta trajtojmë përmes procedurave ligjore”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur për ‘kërcënimin’ e sindikatës së punëtorëve, kryeshefi i Telekomit ka thënë se ka informuar punëtorët për shkëputje të kësaj kontrate.

“Unë para punëtorëve kam deklaruar se mos vazhdimi i kontratës hyn në fuqi nga 30 korriku dhe qëndroj mbrapa saj, të njëjtën e kam nënshkruar dhe e kam përcjell edhe te Z-Mobile. Edhe punëtorët i kam informuar, dje kam pas takim me ta dhe jam në kontakte me ta”, ka thënë ai.

Istrefi u ka kërkuar sindikatës të mos luajnë rolin e heroit.

“Jam duke u përpjekur që të krijohet një qëndrueshmëri e jo të bëjmë dëme me deklarata. Nuk jemi në pozitë që ta luajmë rolin e patriotit dhe heroit sepse situata duhet të menaxhohet me mençuri dhe maturi”, ka shtuar Istrefi për arbresh.info.

Edhe kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, është shprehur i bindur se do të vendoset në favor të Telekomit.

Balaj në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se Telekomi ka fakte të reja që do t’i përdor.

“Unë besoj që do të vendoset në favor të Telekomit. Gjykatat dhe prokuroria tashmë i kanë pa faktet e Komisionit Hetimor Parlamentar të Kuvendit të Kosovës dhe nuk do të mundet që me ato standarde që i ka fitu në Arbitrazh. Edhe unë kam informacione se ka fakte të reja që do të prezantohen në favor të Telekomit”, ka thënë ai.

I pari i Sindikatës së Telekomit ka shtuar se përmes dërgimit të Telekomit te përmbaruesi, të gjitha e kuptuan se kush është Z-Mobile.

“E mira e gjithë kësaj që është që u pa se kush është Z-Mobile por Ligji për Arbitrazh në Kosovë në pjesën e ekzekutimit të arbitrazhit ndërkombëtar neni 39, neni 39.5 paragrafi 2 që në rast se cenohet rendi publik nuk mundet me u ekzekutu e tani gjykatat tona do të vendosin, por mendoj se në rast të çdo vendimi për ekzekutim do të bëhet një kaos social”, ka shtuar ai.

Ndërsa i pyetur për grevën  e paralajmëruar në rast të mos publikimit të kontratës së shkëputjes së marrëveshjes me Z-Mobile, Balaj ka shtuar se  duhet sa më parë të mbyllet “muhabeti” me Z-Mobile.

“Ne jemi takuar me kryeshefin dhe jemi në rregull. Ne nuk dyshojmë në kryeshefin dhe në vendimet e tij.  Por, duhet që sa më parë të mbyllet ky ‘muhabet’ me kompaninë Z-Mobile. Është vendim i Kuvendit dhe unë jam i obliguar si kryetar i sindikatës që të zbatohen vendimet e tij”.

Ndryshe, dërgimin e Telekomit të Kosovës te përmbaruesi nga Z-Mobile të martën e ka komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se “Informatat që i kam tregojnë se nuk është vendimi final, partneri i deritanishëm e dërgon në përmbarim Valën, është herët që të jepet një përgjigje, unë e respektoj vendimin e menaxhimet të bordit përmes qëndrimit që kanë marrë dhe do t’i përkrahim deri në fund”, ka thënë ai.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar gjithashtu se shlyerja e këtij borxhi nuk do të bankrotoj Telekomin.

“Vala nuk e ka mohuar asnjëherë borxhin por ka kërkuar formë të pagesës aktuale, koha prej tash e deri te një vendim final është dashur që të krijohet mundësi pagesë të borxhit, borxhi është vështir i shmangshëm por kjo nuk ndikon në bankrotimin apo ndërprerjen e aktivitet banesor të Valës”, ka shtuar ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka njoftuar se ka pranuar propozim përmbaruesin nga kreditori ‘”Dardafon.net LL.C.’ i njohur si Z-Mobile.

“Telekomi i Kosovës njofton opinionin publik se sot me datë 15.07.2019 kemi pranuar Propozim Përmbarimin nga Kreditori ”Dardafon.net LL.C. Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25.000.000 EUR (njëzet e pesë milion euro), vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat. Si bazë e kërkesës përmbarimore është Vendimi i Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM.”, ka shkruar Istrefi në njoftim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara