Kosova i ktheu Serbisë 12 maune, u mungoi mbishkrimi ‘Republika e Kosovës’

15:54 | 2 Qershor 2020 | Agnesa Çitaku

Mallrat serbe që nuk kanë mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’, po kthehen mbrapa.

E deri tani 12 maune nuk janë lejuar të hynë në territorin e Kosovës.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci. Ai ka shtuar gjithashtu se 6 janë kthyer në pikën doganore në Jarinjë dhe gjashtë në Merdare.

“Kemi kthyer deri tash 12 maune tani, gjashtë kanë qenë në pikën doganore në Jarinjë, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë, dhe gjashtë të tjerë janë kthyer në Merdarë që nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë”, ka thënë ai.

Stavileci ka shtuar se maunet nuk i janë përmbajtur kryesisht pikës 3 të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Kryesisht ka pas mos përputhje me vendimin e qeverisë tek pika 3 e vendimit e po ashtu edhe tek pika 1.1 dhe 1.2”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës ka thënë se sot nuk ka ardhur asnjë dërgesë nga Serbia.

“Sot nuk kemi pasur asnjë dërgesë e cila ka ardhur”, ka përfunduar ai.

Ndryshe Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 37 të mbajtur më 30 maj ka marrë vendim për plotësim-ndryshim të vendimit për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Aty është vendosur që të mos lejohet furja e produkteve që nuk i referohen me Republika e Kosovës.

“Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, në marrëdhëniet tregtare me Serbinë,  ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin  e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Gjithashtu është obliguar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare.

Republika e Kosovës e ka larguar taksës doganore 100% ndaj mallrave serbe duke e zëvendësuar atë me reciprocitet më 1 prill 2020./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara