Komuna e Gjakovës hapë konkurs për parkun e qytetit

18:42 | 27 Shkurt 2015

Komuna e Gjakovës u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve/arkitekteve që të marrin pjesë në përpilimin e projektit ideor për parkun qëndror të qytetit të Gjakovës, më saktësisht për parkun përballë Hotel Pashtrikut.

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e kësaj komune Mimoza Kusari-Lila e cila përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se komuna e Gjakovës është e interesuar që të ristrukturojë fontanën që gjendet në parkun e qytetit dhe që pozita e saj nuk përputhet me ambientin e një parku të mirëfilltë. Kjo fontanë preferohet të vendoset në qendër të parkut dhe për-rreth saj të organizohen statujat dhe gjelbërimi.

“Objektet që gjenden në këtë park janë statuja e Nënës Terezë, Nesim Dervishdanës, Selman Rizës, Shokët e Lirisë dhe busti i Asim Vokshit.
Lojërat e fëmijëve do të renovohen nga ProCredit Bank dhe ato mund te zhvendosen varësisht nga idetë tuaja.
Fokus të veçantë ti jepet dizajnit te fontanës e cila edhe do të jetë në qendër të këtij parku dhe rregullimi i hapësirës rreth saj. Dimensionet e fontanës duhet të jenë mesatare të cilat korrespondojnë me hapësirën ku do të ndërtohet”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo më pas në këtë postim ka theksuar se vlerësimet do të bëhen nga komisioni prej 5 personave, duke përfshirë Arkitekt/Inxhinier nga Komuna e Gjakovës, Asociacioni i Arkitekteve të Kosovës dhe konsulentëve të jashtëm të po së njëjtës fushë.

Afati për dorëzim të projektit do të jetë 20 ditë që nga dita e shpalljes së këtij njoftimi. Dorëzimi i materialit bëhet në anonimitet me shifër, në Kabinetin e Kryetares në dy kopje të forta dhe një të digjitalizuar në CD.

Të bashkangjitur e gjeni një kopje të situacionit me dimensionet përkatëse.
Mbas vlerësimit të punimeve të pranuara në bazë të konkursit, do të shpërblehen punimet me sa vijon :
Vendi i parë – 2000 Euro
Vendin i dytë – 1000 Euro
Vendin i tretë – 500 Euro.
Përpilimi i projektit kryesor ekzekutues do të realizohet nga fituesi i konkursit në bashkëpunim me profesionist kompetent të kësaj fushe nga Komuna e Gjakovës dhe realizimi i projektit do të fillojë menjëherë pas kryerjes së procedurave ligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara