Shqipëria me pajisje të re për ndarjen e plazmës nga gjaku, Manastirliu: T’i ndihmojmë pacientët me COVID-19

15:54 | 16 Shtator 2020

Në Qendrën Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në Shqipëri, nga sot ka nisur aplikimi i metodës së re për ndarjen e plazmës, me aparaturë bashkëkohore.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cilësoi një tjetër hap përpara drejt sigurimit të terapive alternative për pacientët me COVID-19.

“Kemi siguruar pajisjen e posaçme të ndarjes automatike të gjakut, bashkë me setet e dedikuara, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku veç metodës tradicionale, ne tashmë mund të përdorim edhe metodën e avancuar për sigurimin e plazmës, që do të përdoret për trajtimin e atyre pacientëve me COVID-19, që përcaktojnë ekipet mjekësore, sipas protokolleve të përcaktuara”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se janë 54 dhurues që i janë bashkuar thirrjes “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për dhurimeve vullnetare.

“Përgjatë 1 muaji janë 54 dhurues që e kanë kaluar COVID-19 dhe që i plotësojnë kriteret por ka nevojë sërish për qytetarët që e kanë kaluar këtë sëmundje, që të bëhen pjesë e rrjetit të solidaritetit, për të ndihmuar ata pacientë që kanë më shumë nevojë”, tha Manastirliu.

Aktualisht në dy spitalet COVID-19 janë rreth 20 pacientë që kanë marrë trajtimin me plazmën konvaleshente, sipas protokolleve të përcaktuara nga shërbimet përkatëse.

Lajmet më të lexuara