PD: Të hetohen fshehjet kriminale të vdekjeve dhe informacionet e rreme

14:06 | 21 Nëntor 2020

“Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet”, deklaroi sot Partia demokratike. Z.Bardh Spahia nga selia e PD-së i bëri thirrje në veçanti Prokurorisë dhe SPAK të nisin hetimin pa vonesë.

“Që nga dita e enjte, kur Kryetari i PD denoncoi në emisionin Opinion, shifrat e vërteta të vdekjeve nga Covid-19, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e sa, – tha Spahia. – Numri i vdekjeve nga Covid, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha, është shumë më i lartë se ai që është bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme.

Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet.

Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën.

I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin.

Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit.

Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë, si dhe për t’u fshehur pas punës heroike të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë.

Partia Demokratike çmon lart punën dhe sakrificat që po bëjnë mjekët dhe infermierët gjatë kësaj pandemie të tmerrshme, dhe dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin e tij.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara