Zbulohen rezerva të reja të naftës në Nigeri

18:52 | 13 Shkurt 2020

Në pjesën veriore të Nigerisë janë zbuluar rezerva të naftës së papërpunuar në sasi prej një miliard fuçive, transmeton Anadolu Agency (AA).

Timipre Slyva, ministri i shtetit për Burimet e Naftës në Nigeri, në një deklaratë në mbylljen e Samitit Ndërkombëtar të Naftës në Nigeri 2020 (NIPS) që u zhvillua në kryeqytetin Abuja, tha se “Si rezultat i kërkimeve të bëra në verilindje të Nigerisë, u zbuluan rezerva të naftës së papërpunuar në sasi prej një miliard fuçive”.

“Këto të dhëna paraqesin strukturën gjeologjike të rajonit dhe tregojnë rëndësinë e saj”, tha Sylva, duke shtuar se rezultatet e kërkimit janë të këndshme.

Ai tha se kërkimet për naftë do të vazhdojnë.

“Rezervat tona në vitin 2002 ishin 22 miliardë fuçi nafte. Kjo në vitin 2007 u rrit në 37 miliardë fuçi, ndërsa që nga viti 2007 e deri më sot është rritur në 37,5 miliardë”, deklaroi ministri Sylva, duke theksuar se Nigeria ofron mundësi të mëdha për investitorët, por se duhet të zgjidhen problemet ekonomike dhe ato të sigurisë.

– Në Nigeri ndodhen 3,1 për qind e rezervave të naftës në botë

Rezervat aktuale të naftës në Nigeri janë në sasi prej rreth 37,5 miliardë fuçive dhe përbëjnë 3,1 për qind të rezervave të naftës në botë.

Në rajonin Delta, ku ndodhen fushat e naftës, thuhet se Nigeria prodhonte më shumë se 1,5 milion fuçi naftë të papërpunuar në ditë, por për shkak të ngjarjeve si sabotimet e grupeve të armatosura në fushat e naftës, konflikteve në rajon dhe rrëmbimeve, ajo nuk ka mundur të përdorë një kapacitet prej të paktën 500 mijë fuçive.

Në vitin 2017, në verilindje të Nigerisë humbën jetën 50 persona dhe disa të tjerë u rrëmbyen si pasojë e sulmit që militantët e grupit Boko Haram kryen kundër ekipit të kërkimit të naftës në rajonin Borno.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara