Vrasja e 20 ushtarëve indianë përshkallëzon konfliktin Indi – Kinë

20:44 | 17 Qershor 2020

Vrasja e 20 ushtarëve indianë në kufirin me Kinën ka përshkallëzuar tensionet midis dy fqinjëve bërthamorë. Kryeministri Modi premtoi hakmarrje për efektivët e vdekur indianë, duke thënë se vdekja e tyre nuk do të jetë e kotë. Ndërkohë, Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Indisë kanë zhvilluar bisedime telefonike për përplasjen vdekjeprurëse kufitare, duke rënë dakord të “qetësojnë” tensionet.

India ka thënë se do të hakmerret për 20 ushtarët e vdekur në kufirin indo-kinez. Kryeministri i Indisë, Neranda Modi, ka thënë se vdekja e të paktën 20 ushtarëve indianë në përballje me trupat kineze, “nuk do të jetë e kotë”.

Modi njoftoi se India është “krenare që ushtarët tanë vdiqën duke luftuar kinezët”. Duke adresuar përplasjen, Kryeministri Modi, në një fjalim televiziv të mërkurën tha se India dëshiron paqe, por kur provokohet, India është e aftë të japë një përgjigje të përshtatshme, qoftë ajo çdo lloj situate.

Për ne, uniteti dhe sovraniteti i vendit është më i rëndësishmi,” shtoi kreu i qeverisë indiane. Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Indisë ndërkohë, kanë zhvilluar bisedime telefonike këtë të mërkurë duke rënë dakord të “qetësojnë” tensionet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze tha se situata aktuale ishte “e qëndrueshme dhe e kontrollueshme”.

India thotë se “qasja e dhunshme” është një përpjekje e Kinës për të “ndryshuar në mënyrë të njëanshme status-quo-në” në kufirin e Luginës Galwan të administruar nga India. Pekini, nga ana tjetër, akuzon ushtrinë indiane për “provokimin dhe sulm ndaj personelit kinez, duke rezultuar në konfrontim serioz fizik”.

Nuk pati të shtëna, por ushtarët raportohet se u përleshën me mjete rrethanore, shkruajnë mediet ndërkombëtare.

Kjo është përplasja e parë vdekjeprurëse midis dy palëve në zonën kufitare, në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit, në të paktën 45 vjetët e fundit.

Përplasja ndërkaq ka provokuar protesta në Indi, me njerëz që kanë djegur flamuj kinezë dhe kanë zhvilluar protesta në Nju Dehli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara

Të ngjashme