Vështrim nga Brukseli: Ndryshimi po vjen

10:12 | 11 Shtator 2019

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zbuloi ekipin e saj të ri në Bruksel, i cili sinjalizon ditë të vështira për politikën e fqinjësisë dhe të zgjerimit të bllokut.

Laszlo Trocsanyi, i cili si ministër i Drejtësisë i Hungarisë ka ndërmarrë masa që kanë nxitur hetime të Bashkimit Evropian kundër vendit të tij, u ngarkua me promovimin e sundimit të ligjit dhe të vlerave të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet si: Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Si aleat politik i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Trocsanyi ka mbikëqyrur ndryshimet në gjyqësorin e vendit të tij në vitet e fundit.

Këto ndryshime janë kritikuar fuqishëm në Bruksel për dobësim të sundimit të ligjit, pasi i japin qeverisë autoritet më të madh për të emëruar gjykatës dhe për të kontrolluar financat e gjykatave.

Ai po ashtu ka udhëhequr një përpjekje për të kriminalizuar punën e OJQ-ve që i ndihmojnë refugjatët dhe migrantët, si dhe ka hartuar legjislacionin për arsimin e lartë, për të cilin Universiteti i Evropës Qendrore ka thënë se e ka detyruar të largohet nga Hungaria.

Gjërat sigurisht se mund të shihen edhe nga ana e ndritshme. Emërimi i Trocsanyit do të thotë se ka ende një portofol në Komisionin e ri që merret me zgjerimin dhe fqinjësinë e BE-së.

Për kohë të gjatë ka pasur zëra në Bruksel se ai mund të zhduket, pasi oreksi për zgjerimin e bllokut, sidomos në vendet kryesore si Franca dhe Holanda, po zvogëlohet çdo vit.

Qëkur spanjolli Josep Borrell është zgjedhur për shef të ri të politikës së jashtme të BE-së, është parë si e domosdoshme që një “lindor” të marrë postin e zgjerimit.

Kritikët kanë premtuar se do ta marrin intensivisht në pyetje Trocsanyin në komitetin e Parlamentit Evropian dhe konfirmimi i tij nuk është i sigurt.

Në të kaluarën, dhoma i ka forcuar muskujt e saj dhe ka nxjerrë së paku një emër jashtë listës për president të Komisionit Evropian.

Gjithçka tregon se Parlamenti mund ta bëjë të njëjtën gjë edhe kësaj radhe.

Hungaria, për vite me radhë, e ka zemëruar Brukselin me çështje të shumta të sundimit të ligjit. Dhe, me Fidesz-in aktualisht të pezulluar nga Partia Evropiane Popullore, asaj i mungon mbrojtja politike në të cilën mund të mbështetej më parë.

Në letrën e misionit të Von der Leyen drejtuar Trocsanyit, thuhet se kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, detyrë e tij do të jetë “të përshpejtojë reformat strukturore dhe institucionale, me një fokus të fuqishëm në bazat e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformën e administrates publike”, si dhe “t’i mbështesë të gjitha përpjekjet në luftën kundër korrupsionit në rajon dhe të gjitha përpjekjet drejt marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe”.

Ngjashëm, sa i përket Partneritetit Lindor, ai “duhet të përqendrohet në çështjet e pazgjidhura, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe rolin e medias së pavarur dhe shoqërisë civile”.

Për një person që deri vonë ka përfaqësuar në qeveri që kritikohet për shtypjen e mediave, gjykatave dhe të opozitës, për probleme dypalëshe me Ukrainën dhe fqinjët e tjerë, si dhe për strehimin e një politikani të arratisur maqedonas, kjo duket pak e tepërt.

Qeveritë në Kiev, Tbilisi, Kishinjev dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor do të shpresojnë që anëtarët e Parlamentit Evropian do ta bëjnë një verifikim të plotë, pasi vjeshta bëhet më e ftohtë brenda pak javësh.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara