Venezuelë, miliona njerëz pinë ujë të papastër

14:44 | 20 Tetor 2019

Shumë familje në periferi të kryeqytetit të Venezuelës po përballen me vështirësi për të siguruar ujë të pijshëm. Një familje me tetë anëtarë duhet ta ruajë një rezervuar të ujit për një javë. Sidoqoftë, ai nuk mjafton për pastrim, prandaj kuzhinat i kanë të mbushura me enë të papastruara dhe shtëpitë e tyre kundërmojnë erë urine.

Uji që shfrytëzohet nga këto familje nuk është i kontrolluar apo i pastruar, duke bërë që diarrea dhe vjelljet të shfaqen shpesh në këtë komunitet. “Praktikisht ne jetojmë në tualet”, thotë zonja e një shtëpie, Yarelis Pinto. Vajza e saj shtatzënë po vuan nga diarrea vetëm një muaj para se të lindë.

Në Venezuleë, ekonomia e shkatërruar dhe infrastruktura para kolapsit nënkupton që populli nuk furnizohet me ujë rregullisht. Pirja e këtij uji madje po vlerësohet si lojë e rrezikshme me shëndetin. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkalla e vdekjeve të foshnjave nga diarrea në këtë vend është gjashtë herë më e lartë sot sesa 15 vjet më parë.

Hulumtuesit e Universitetit Qendror të Venezuelës thonë se një milion banorë janë të ekspozuar ndaj ujit të kontaminuar. Kjo i vë në rrezik ndaj viruseve që përhapen përmes ujit, të cilat mund ta rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe personave të ndjeshëm ndaj ujit të papastër.

Ministria e ujit dhe ministria e informacionit nuk kanë pranuar të japin të dhëna për cilësinë e ujit në kryeqytet, shkruan “Independent”

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara