Vazhdon paqartësia dhe protestat në Bjellorusi

01:31 | 15 Gusht 2020

Paqartësia mbisundonte mbi Bjellorusi të premten, ndërkohë që protestat kundër Presidentit Aleksander Lukashenko po fuqizohen me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra vetëve që kanë dalë për të kundërshtuar pretendimin e udhëheqësit se ka fituar zgjedhjet e 9 gushtit. Protestuesit thonë se zgjedhjet u karakterizuan nga manipulime dhe u shoqëruan me reagim të egër të forcave të rendit kundër demonstruesve të paarmatosur.

Megjithëse në 36 orët e fundit ka pasur më pak arrestime se menjëherë pas votimeve, ka shenja se rezistenca ndaj regjimit të Lukashenkos po zgjerohet.

Në të gjithë vendin, mijëra gra dhe punonjës të shëndetësisë u mblodhën të lidhur për dore duke kërkuar ndalimin e dhunës. Duket se taktika ndihmoi për të neutralizuar reagimin e policisë.

Disa fabrika të fuqishme njoftuan se kanë pezulluar aktivitetin deri kur Lukashenko të japë doreheqjen.

Të premten në mbrëmje, punëtorët ishin larguar nga vendet e punës duke u bashkuar me protestuesit e mbledhur para selisë së qeverisë në Minsk.

Të premten, Aleksander Lukashenko iu përgjigj zërave të pakonfirmuara, se ai ishte larguar nga presidenca.

“Pikësëpari, jam gjallë dhe jam në atdhe,” tha presidenti.

Më pas ai ritheksoi pretendimin se protestat nxiteshin nga provokatorë nga Evropa dhe nga opozita ruse.

“Po i përdorin fëmijët tuaj si mish për top,” tha udhëheqësi bjellorus.

Fitore e Dyshimtë

Kriza politike që rezultoi pas zgjedhjeve ishte rezultat i pretendimit të Lukashenkos se kishte fituar 80% të votës, pas 26 vjetësh në pushtet.
Sfiduesja e tij, Svetlana Tikhanovskaya, mësuese e cila u fut në garë pasi u arrestua bashkëshorti i saj, një bloger politik, nuk u lejua të merrte pjesë në votime ndërkohë që kandidatura e saj tërhoqi përkrahje të gjerë.

Por Tikhanovskaya siguroi më pak se 10% të votës, duke forcuar bindjen se rezultatet ishin manipuluar.

Pasi këmbënguli se do të sfidonte rezultatet para komisionit shtetëror të zgjedhjeve, ajo u largua nga vendi të martën bashkë me familjen.

Të premten ajo publikoi një mesazh-video nga Lituania, ku strehohet.

“Bjellorusët nuk duan më të jetojnë nën sundimtarin e mëparshëm. Asnjë s’e beson se ai ka fituar. U bëj thirrje autoriteteve të ndalin dhunën dhe të hyjnë në dialog,” tha zonja Tikhanovskaya.

Ndërkaq, autoritetet në Bjellorusi kanë liruar rreth 1 mijë protestues të arrestuar në mesin e demonstratave kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, në një përpjekje për të zbutur zemërimin publik ndaj sulmit brutal mbi protestat paqësore. Shumë nga ata që u lanë të lirë, raportuan për rrahje brutale dhe abuzime të tjera nga policia dhe disa prej tyre kishin shenja dhune në trup.
Lirimi i të burgosurve erdhi disa orë pasi ministri i Brendshëm Yuri Karayev kërkoi falje në televizionin shtetëror për përdorimin pa dallim të forcës nga ana e policisë. Masa vjen në një ditë kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të takohen për të diskutuar vendosjen e sanksioneve të mundshme kundër Bjellorusisë./voa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara