Vazhdojnë protestat masive në Hong Kong

10:00 | 8 Dhjetor 2019

Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Hong Kong-ut të dielën në protestën e radhës që u organizua në qytetin e trazuar nga dhuna dhe kriza politike në gjashtë muajt e fundit.

Aktivistët kundër qeverisë, të rinj e të moshuar, u mblodhën në parkun “Victoria”, para se të vazhdonin drejt distriktit financiar të qytetit të kontrolluar nga Kina.

Autoritetet ia dhanë dritën e gjelbër protestës së organizuar nga Fronti Civil për të Drejtat e Njeriut, i cili i ka organizuar edhe protestat e tjera paqësore. Kjo është hera e parë që qeveria lokale e miratoi kërkesën për protestë që nga 18 gushti.

“Do të luftoj për liri derisa të vdes sepse unë jam hongkongase. E sotmja ka të bëjë me përkrahjen e Hong Kong-ut dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha një nënë 40-vjeçare, e cila po merrte pjesë në protestën e së dielës.

Në anën tjetër, policia njoftoi më herët se i ka arrestuar 11 persona, nga të cilët ka konfiskuar armë të ndryshme, përfshirë një pistoletë, thika ushtrie dhe 105 plumba.

Protestat në Hong Kong filluan në qershor të këtij viti për shkak të një projektligji kundërthënës për ekstradimin e qytetarëve në Kinë.

Kina i ka fajësuar fuqitë e huaja, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme, ndërsa Perëndimi ka kërkuar nga superfuqia aziatike që ta respektojë autonominë e ish-kolonisë britanike, shkruan “Reuters”

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara