Vazhdojnë protesta të dhunshme në ShBA, arrestohen deri në 4000 persona

09:22 | 1 Qershor 2020

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Shteteve të Bashkuara të dielën. Protestat fillimisht ishin paqësore, por më vonë u bënë të dhunshme.

Autoritetet lokale dhe qendrore kanë angazhuar mijëra ushtarë dhe kanë vendosur orë policore në përpjekje për ta qetësuar situatën, por këto masa nuk ndikuan që të ndalen kryengritjet, shkruan “Daily Mail”.

Policia në Philadelphia tha se protestuesit i kanë sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe koktej molotovi, ndërsa disa protestues të maskuar në San Francisko kanë thyer dyqane dhe kanë vjedhur mall.

Tensionet ishin të larta edhe afër Shtëpisë së Bardhë, ku policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-granata për t’i shpërndarë rreth një mijë protestues. Dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes kanë thënë në kushte anonimiteti se të gjithë ushtarët e Gardës Kombëtare në Uashington D.C. janë angazhuar për ta marrë nën kontroll situatën.

Sipas agjencisë “The Associated Press”, deri më tani janë arrestuar së paku 4,100 persona. Arsyet e arrestimit ishin të ndryshme, përfshirë vjedhjen, bllokimin e rrugëve dhe shkeljen e orës policore.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i ka angazhuar mijëra ushtarë të Gardës Kombëtare për ta shuar dhunën nga e cila u shkatërruan qindra ndërtesa gjatë disa ditëve të protestave.

Protestat në Shtetet e Bashkuara nisën javën e kaluar pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë. Një polic është akuzuar për vrasje në lidhje me këtë rast.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara