Trump nis sulme të reja kundër hetimeve për përfshirjen ruse

20:43 | 15 Nëntor 2018

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi sërish të enjten hetimin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, megjithëse ka disa sinjale se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mund të jetë pranë përfundimit të punës së tij.

Të paktën publikisht, hetimi 18 mujor i zotit Mueller ishte relativisht i qetë në javët para zgjedhjeve për Kongresin që u mbajtën në 6 nëntor, pjesërisht për shkak se Departamenti i Drejtësisë përpiqet të mos sjellë në vëmendje çështjeve të ndjeshme politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme. Por analistët ligjorë presin së shpejti më shumë zhvillime mbi këtë çështje.

Sipas njoftimeve te mediave zoti Trump këtë javë, po peshon mundësinë e përgjigjeve me shkrim ndaj pyetjeve të bëra nga hetuesit e ekipit të zotit Mueller, lidhur me dyshimet nëse njerëzit e fushatës së tij bashkëpunuan në mënyrë të fshehtë me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitojë. Zoti Trump e ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur si të pabazuar këtë pretendim.

Megjithatë një çështje që mbetet ende hapur lidhet me atë nëse zoti Trump do të ulet për një intervistë me zotin Mueller për pyetje të mëtejshme në lidhje me dyshimet për marrëveshje të fshehtë me Moskën dhe nëse zoti Trump, në detyrën e presidentit, ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të ndalë hetimin. Ndërkohë zoti Mueller mund të shkruajë një raport në lidhje me gjetjet e tij, ndërsa pritet ndoshta të ngrejë edhe më shumë aktakuza kundër bashkëpunëtorëve të zotit Trump, duke i akuzuar ata për keqbërje penale.

Të enjten, zoti Trump iu kthye kritikave që i vazhdon prej kohësh ndaj hetimit të zotit Mueller, të cilin e quan shpesh një “gjueti shtrigash”.

Udhëheqësi amerikan shprehu nëpërmjet një postimi në Twitter pretendimin e pambështetur në prova, se “funksionimi brendshëm i hetimit të zotit Mueller ishtenjë kaos i vërtetë”.

“Ata nuk kanë gjetur të dhëna për bashkëpunim të fshehtë dhe janë marrosur,” tha ai. “Ata po u bërtasin e ulërasin njerëzve, duke i kërcënuar ashpër që të dalin me përgjigjet që u duhen atyre. Ata janë turpi i kombit tonë dhe nuk u intereson se sa jetë shkatërrojnë. Ata janë njerëz të inatosur, përfshi njeriun me konflikt të madh interesi, Bob Mueller, i cili ka punuar për Obamën për 8 vjet. Ata as që duan t’i shohin të gjitha veprimet e këqija dhe krimet në anën tjetër. Një gjueti shtrigash si në asnjë rast tjetër në historinë amerikane!, shkruante presidenti.

Zoti Mueller, që është i regjistruar si republikan, u emërua për herë të parë si drejtor i Byrosë Federale të Hetimit për një mandat 10-vjeçar nga presidenti republikan Xhorxh W. Bush në vitin 2001 dhe mandati i tij aso kohe u zgjat për dy vjet të tjera nga ish-Presidenti Demokrat Barak Obama. Senati miratoi zgjatjen e mandatit të tij me një votim unanim, prej 100 votash pro dhe asnjë kundër.

Ndërkohë udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell ka bllokuar shqyrtimin e ligjit për të cilin përfaqësues të të dy palëve kanë rënë dakort, që parashikon të mbrojë hetimin nga presidenti Trump në rast se ai do të kërkojë t’i japë fund. Zoti McConnell thotë se zoti Trump, pavarësisht ankesave të tij publike kundër zotit Mueller, e ka siguruar atë se nuk do ta shkarkojë zotin Mueller dhe se hetimi do të vazhdojë deri në përfundim të tij.

Aktakuzat e zotit Mueller kanë rezultuar në dënime ose vetëshpalljen fajtorë të disa figurave të fushatës së zotit Trump, të cilët po bashkëpunojnë me hetuesit e zotit Mueller ndërsa presin masën e dënimin./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara